Lionel Messi dhe Inter Miami u mirëpritën këtë të enjte në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Donald Trump. Tetë herë fituesi i Topit të Artë, i konsideruar si një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave ishte i buzëqeshur teksa takoi presidentin amerikan në Washington DC ku Inter Miami u nderua për titullin e parë kampion të MLS të fituar sezonin e kaluar.
Teksa shokët e tij të skuadrës prisnin në skenë, Messi shkoi atje krah për krah Donald Trump me këtë të fundit që e nisi fjalimin e tij për bombardimet në Iran ndërkohë që përmendi edhe Cristiano Ronaldon me Messin që e pikasën kamerat duke hedhur një vështrim të çuditshëm
‘Ushtria e SHBA bashkë me partnerët e mrekullueshëm izraelitë, po vazhdojnë të shkatërrojnë totalisht armikun në një nivel që njerëzit nuk e kanë parë kurrë. Po shkatërroumë raketat e Iranit-tha Donald Trump me kampionin e botës në futboll në krah të tij
Më pas kreu i Shtëpisë së Bardhë e ktheu vëmendjen te kampionët e Major League Soccer duke mos ia kursyer elozhet Lionel Messit, pa harruar të thotë edhe emrin e rivalit të përjetshëm të argjentinasit.
‘Djali im, Barron më tha: ‘Baba e di kush do të vijë sot?’ I thashë jo, kam shumë punë për të bërë. Ai tha; ‘Messi!’. Ai është një tifoz i yti, ai mendon se je një person fantastik dhe mendoj se jeni takuar më parë-vijoi Donald Trump-ai është një tifoz i madh i futbollit, por është një tifoz i flaktë i yti dhe i një zotërie të quajtur Ronaldo’
Kjo ishte hera e parë që Lionel Messi vizitoi Shtëpinë e Bardhë. Në fakt edhe vitin e kaluar, Messi kishte marrë një ftesë nga ish presidenti Joe Biden për t’u nderuar me Medaljen e Lirisë, por argjentinasi e refuzoi për shkak të kalendarit të aktiviteteve. Kështu, Donald Trump ka pasur mundësinë që të presë në Shtëpinë e Bardhë të dy yjet e futbollit botëror në harkun e pak muajve, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.

