FIFA ka publikuar zyrtarisht topin me të cilin do të luhet në vitin e ardhshëm Botërori 2026. Topi i prodhuar nga “Adidas” quhet “Trionda” dhe ka një veçanti që kujton një prodhim të mëparshëm problematik pasi cilësohet si shumë i rrumbullakët.

“Trionda” në spanjisht do të thotë “tre valë” dhe ka ngjyrat e kuqe, të gjelbër dhe blu, si dhe elementë të ndryshëm që përfaqësojnë secilin nga tre vendet organizatore. Një gjeth për Kanadanë, një shqiponjë për Meksikën dhe një yll për SHBA.

Problemi i “Trionda” është ndeshur edhe më parë. Topi i futbollit sigurisht është i rrumbullakët, por mbulesa e jashtme e tij zakonisht është e përbërë nga pjesëza të ndryshme në forma gjeometrike. Shumë bazohen te dizajni i “icosahedron,” i cili ka 20 faqe ose prerje të ndryshme.

Por “Trionda” bazohet mbi një dizajn me vetëm 4 faqe të ndryshme, ose prerje. Kjo lloj forme, pa shumë prerje, bën që topi të marrë trajektore nga më ë çuditshmet.

Një top me një model me pak prerje ishte ai i Botërorit 2010, “Jabulani”, i cili u pagëzua si “makthi i portierëve” pasi ndryshonte disa herë trajektore në goditje nga larg, duke dhuruar gola spektakolarë, por ku aftësia individuale kalonte në plan të dytë.

Ndaj nuk ishte rastësi se pse u hoq shpejt nga qarkullimi një model i tillë, për t’u kthyer përsëri pas 15 viteve me një tjetër tentativë nëpërmjet “Trionda”.