Formula 1


Ditrih Mateshitz është i pakënaqur me rregulloret e reja të caktuara nga FIA


FORMULA 1 - Italian Grand PrixPronari i Red Bull, Ditrih Mateshitz, ka kërcënuar FIA-n se mund të largohet nga Formula 1 në të ardhmen. Duke folur për një gazetë austriake, pronari i skuadrës që në vitet e kaluara ka dominuar plotësisht garat, ka bërë të qartë se mund të ndalojë investimet e tij, që përfshijnë edhe ekipin “pilot” të Toro Roso.


“Çështja nuk ka të bëjë me faktin nëse ka përfitim ekonomik, por më shumë me vlerat sportive, influencën sportive apo gjëra të ngjashme”, tha ai për “Kurier”. “Ne kemi pasur gjithçka në këtë këndvështrim, por nga pikëpamja jonë, ka një limit të qartë të gjërave që mund të pranohen. Çështja e Riçiardos është absurde, pasi sensorët e federatës kanë dhënë vlera të pasakta që në fillimin e testimeve dhe ne mund të vërtetojmë se asgjë nuk ishte jashtë limiteve të caktuara”, deklaroi pronari i skuadrës, që me sa duket është shqetësuar se tashmë Red Bull etiketohet si një ekip “mashtrues”.


Ndonëse largimi i mundshëm nga bota e garave nuk pritet të ndodhë para vitit 2020, për shkak të marrëveshjes së nënshkruar me FIA-n, që ka penalitete marramendëse, ulja e investimeve mund ta kthejë Red Bull në një skuadër dytësore. Mateshitz është qartësisht i pakënaqur me rregullat e reja dhe modifikimet që u janë bërë njëvendëshve. “Formula 1 duhet të vazhdojë të jetë shembulli i disiplinës. Kjo garë nuk është për të vënë rekorde të konsumit të karburantit apo që të flasësh me zë të ulët, pasi entuziazmin më të madh ta jep zhurma e gomave. E cilësoj po aq absurde që po ecim një sekondë më ngadalë se vitin e kaluar dhe seria e të rinjve, GP2, është thuajse po kaq e shpejtë sa Formula 1, ndonëse ka vetëm një fraksion të vogël të buxhetit tonë”, ishte kërcënimi i tij.