Propozimi i ri për Reformën Administrativo-Territoriale mund të sjellë pasoja edhe në sportin shqiptar, veçanërisht për disa klube futbolli që mbështeten financiarisht nga bashkitë lokale.
Deputetët e Partisë Socialiste kanë depozituar në Kuvend projektligjin për riorganizimin e pushtetit vendor, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa numri i qarqeve do të mbetet 12.
Sipas propozimit, disa bashki do të bashkohen, mes tyre Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaji, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.
Ky ndryshim pritet të prekë edhe disa klube futbolli, pasi një pjesë e tyre financohen drejtpërdrejt nga bashkitë që janë parashikuar të shkrihen. Nëse struktura e re territoriale miratohet, ekzistenca e gjashtë skuadrave është në pikëpyetje.
Bëhet fjalë për:
Maliqin, që militon në Kategorinë e Dytë;
Albpetrolin e Patosit, pjesëmarrës në Kategorinë e Dytë;
Këlcyrën, pjesë e Kategorisë së Dytë;
Memaliajn, që luan në Kategorinë e Dytë;
Turbinën e Cërrikut, që garon në Kategorinë e Tretë;
Osumin e Dimalit, që militon në Kategorinë e Tretë.
Aktualisht këto klube përfitojnë mbështetje nga bashkitë përkatëse, ndërsa ndryshimi i strukturës administrative mund të sjellë rishikim të mënyrës së financimit të tyre.
Nga zonat që preken nga reforma, jo të gjitha kanë ekipe aktive futbolli. Ndërkohë, rasti i Rrogozhinës është i veçantë, pasi Egnatia është klub në pronësi private të presidentit Agim Demrozi dhe nuk varet nga financimi i bashkisë.
Nëse reforma miratohet në formën aktuale, klubet e kategorive të ulëta do të përballen me një sfidë të madhe për të siguruar vazhdimësinë, në një kohë kur shumë prej tyre mbështeten te fondet publike lokale për aktivitetin sportiv.
