Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka publikuar këtë të enjte renditjen e saj të fundit, e përditësuar pas ndeshjeve të para për kualifikueset e Botërorit 2026.
Në renditje vihet re se Shqipëria ka humbur një pozicion, duke u renditur në vendin e 66-të. Kuqezinjtë, të drejtuar nga trajneri Silvinjo, më herët mbanin vendin e 65-të, por humbja ndaj Anglisë ka ndikuar negativisht në renditjen e tyre.
Ndërkohë, lajmi i mirë vjen për Kosovën, e cila është ngjitur me dy vende, duke u pozicionuar në vendin e 97-të. Kjo rritje vjen pas fitores ndaj Islandës në Ligën e Kombeve, që ka ndikuar pozitivisht në koeficientin e saj.
Në krye të renditjes botërore vazhdon të mbetet Argjentina, e cila pas triumfit në Kupën e Botës 2022 nuk ka lëvizur nga pozita e parë. 10 vendet e para plotësohen me Spanjën, Francën, Anglinë, Brazilin, Holandën, Portugalinë, Belgjikën, Italinë dhe Gjermaninë.