Luis Rubiales, kreu i Federatës mbretërore spanjolle të futbollit është duke u përballur me akuza të forta për ngacmim seksual, pasi puthi në buzë një nga futbollistet e kombëtares së femrave.

Por Rubiales nuk është i vetmi që është prekur nga gjithçka që po ndodh, pasi në të njëjtën pozitë është dhe familaj e tij. Por nëna ka tërhequr vëmendjen me gjestin që ka bërë.

Mësohet se gruaja është mbyllur brenda një kishe dhe ka hyrë në grevë urie në mbështetje të të birit. Angeles Bejar kërkoi t’i jepet fund ‘trajtimit çnjerëzor ndaj djalit të saj’ pasi puthi në buzë lojtaren spanjolle Jenni Hermoso pas triumfit të tyre në Kupën e Botës për femra.

Bejar është mbyllur në kishën Divina Pastora në Motril, në lindje të Malaga-s në Spanjën jugore dhe ka nisur një grevë urie ‘të pacaktuar, ditë e natë’ derisa ‘drejtësia të vendoset’, ndërsa kërkoi që Hermoso të tregojë të vërtetën pasi lojtarja këmbënguli se puthja nuk ishte konsensuale, ndryshe nga ana e Rubiales.

Rubiales refuzoi të tërhiqej nga posti i Presidentit të Federatës së Futbollit të Spanjës, por është pezulluar përkohësisht nga organi qeverisës i futbollit botëror FIFA.