Qeveria ndan 500 mijë euro për kombëtaren e Kosovës që mposhti Sllovakinë. Premton 1 milionë euro në rast të kualifikimit e shpërblime të tjera për sukseset në kampionat botëror
Qeveria e Kosovës e ka shpërblyer përfaqësuesen Dardane me 500 mijë euro pas triumfit historik në gjysmëfinalen e play off-it kundër Sllovakisë në Bratislavë.
Sfida e radhës do të jetë ajo në Prishtinë kundër Turqisë, ku premtimi kësaj radhe është 1 milionë euro në rast fitoreje, që do t’i dërgonte Dardanët për herë të parë në një Kampionat Botëror.
Në deklaratën e kryeministrit Albin Kurti thuhet:
Triumfi në Bratislavë në kuadër të play off-it për kampionatin Botëror 2026, Sllovakia u njoh me futbollistët e rangut botëror nga Kosova përbën një sukses historik.
Në fund të nëntorit i ndamë 250 mijë euro me rastin e sigurimit të play off-it e po atë ditë u zotuam se do ndajmë 500 mijë euro të tjera në rast të fitores ndaj Sllovakisë, ky zotim do të jetësohet sot. Por dua që kjo të mos mbes këtu. Uroj fort që djemtë tanë shembullor të fitojnë finalen e madhe të play off-it dhe të shkruajnë emrin e tyre në historinë e futbollit të Kosovës si të parët të cilët e jetësojnë ëndrrën e botërorit. Kualifikimi në kupën e botës do të kuptimësonte shënimin e dhjetë vjetorit të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Një fitore nesër do të ishte një arsye tjetër që ne të mblidhemi sot këtu. Në rast të kualifikimit në Kupën e Botës do të ndajmë edhe një milionë euro të tjera për përfaqësuesen tonë në futboll.
Ngjashëm si ishim zotuar për shpërblimet në rast të fitores ndaj Sllovakisë e në rast kualifikimi po zotohemi sot se nëse shkojmë tutje dhe kualifikohemi do të ketë shpërblime që nuk ua merr mendja për sukseset që do të pasojnë në kampionatin botëror që mbahet në SHBA.
