Tenistja ukrainase Dayana Yastremska ka treguar se banesa e familjes së saj në Odessa është shkatërruar gjatë një sulmi rus. Sportistja publikoi në Instagram pamje nga dëmet e shkaktuara, duke treguar rrënojat e apartamentit.

Mes objekteve të shkatërruara, një detaj tërhoqi veçanërisht vëmendjen e saj: një peshqir portokalli me simbolikën e Roland Garros, i cili kishte mbetur i varur në mur.

“Një raketë ruse ka shkatërruar apartamentin tonë në Odessa. E vetmja gjë që ka shpëtuar ishte një peshqir i Roland Garros”, shkroi Yastremska krahas pamjeve të publikuara.

Tenistja, e cila arriti deri në gjysmëfinalet e Australian Open në vitin 2024, e përdori këtë imazh për të përshkruar përmasat e dëmeve të pësuara nga familja e saj.

“Një pjesë e historisë së tenisit botëror i mbijetoi një rakete ruse. Shtëpia jonë jo”, shkroi më tej ajo.

Sipas Yastremskas, ndërtesa ku ndodhej apartamenti i familjes së saj është goditur nga një raketë e tipit Kalibr.

Sulmi ndodhi gjatë natës mes 12 dhe 13 shtatorit në rajonin e Odessas, pranë Chornomorsk. Guvernatori rajonal Oleh Kiper bëri të ditur se nga sulmi mbetën të plagosur 35 persona, mes tyre edhe një foshnjë e porsalindur.

Autoritetet ukrainase raportuan gjithashtu se dy persona rezultonin të zhdukur, ndërsa operacionet në zonat e goditura vijuan pas sulmit.

Yastremska, e lindur në Odessa, ka folur edhe më parë publikisht për luftën në vendin e saj, por këtë herë pasojat e konfliktit kanë prekur drejtpërdrejt banesën e familjes së saj.