Real Madrid ka marrë masa të ashpra disiplinore ndaj Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni pas incidentit të ndodhur në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas.
Klubi madrilen ka vendosur një gjobë prej 500 mijë eurosh për secilin lojtar, pas konfliktit që sipas raportimeve shkaktoi tensione brenda skuadrës.
Procedura disiplinore u hap një ditë më parë, ndërsa sot të dy futbollistët dolën para drejtuesve të klubit për të dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen.
Në deklaratën zyrtare, Real Madridi bëri të ditur se Valverde dhe Tchouaméni kanë shprehur keqardhje për atë që ndodhi dhe i kanë kërkuar falje njëri-tjetrit.
Po ashtu, ata kanë kërkuar ndjesë ndaj klubit, shokëve të skuadrës, stafit teknik dhe tifozëve, duke pranuar çdo masë disiplinore që klubi do të konsideronte të nevojshme.
Pas shqyrtimit të rastit, drejtuesit e Real Madridit vendosën të mbyllin procedurat e brendshme duke aplikuar gjobën financiare ndaj dy lojtarëve.
