Një transferim i mundshëm i Yan Diomandé te Real Madridi mund të ndryshojë planet e merkatos së Barcelonës, duke rrezikuar që katalanasit të humbasin një nga objektivat e tyre kryesorë në sulm, Fisnik Asllanin.
Sipas të përditshmes spanjolle AS, RB Leipzig e ka identifikuar sulmuesin kosovar të Hoffenheimit si zëvendësuesin ideal të Diomandé, në rast se ky i fundit transferohet në “Santiago Bernabéu”.
Raportohet se negociatat mes Real Madridit dhe Leipzigut për Diomandé po avancojnë me ritme të shpejta, ndërsa klubi gjerman është gati të aktivizojë menjëherë klauzolën e lirimit të Asllanit, e cila kap vlerën e 29 milionë eurove.
Ky skenar do ta vendoste Barcelonën në një pozitë të vështirë, pasi drejtuesit blaugrana e konsiderojnë 23-vjeçarin si pasuesin ideal të Ferran Torres, e ardhmja e të cilit në “Camp Nou” mbetet e paqartë.
Kontrata e Torres skadon pas një viti dhe interesimi nga Paris Saint-Germain dhe Atlético Madrid ka shtuar dyshimet për vazhdimësinë e tij te Barcelona. Për këtë arsye, klubi katalanas nuk mund të bëjë një lëvizje zyrtare për Asllanin pa sqaruar fillimisht situatën e sulmuesit spanjoll.
Nga ana tjetër, Asllani thuhet se ka dhënë miratimin paraprak për një transferim te Leipzig, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, pasi dëshiron të presë një ofertë zyrtare nga Barcelona.
Sulmuesi kosovar zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Hoffenheimin, duke realizuar 11 gola dhe 8 asistime në 35 ndeshje, çka ka bërë që të tërheqë vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
Megjithatë, koha po punon në favor të Leipzigut. Klubi gjerman dëshiron të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen me Asllanin përpara se të finalizojë largimin e Diomandé drejt Real Madridit.
Top Channel
