Asnjë humbje
Njëmbëdhjetëshja e Murinjos mund t’u japë fund rezultateve pozitive të Borusias në Champions League. Gjermanët janë të pamposhtur në nëntë ndeshjet e fundit në Europë
Shumë gola
Borusia ka fituar vetëm 4 nga 10 ndeshjet e fundit jashtë fushe. Reali është i pamposhtur në fushën e vet. Këtë sezon ka shënuar 16 gola në 4 ndeshjet e fundit në shtëpi
Stadiumi i mbushur do t’i mbështesë madrilenët në ndeshjen e 10-vjeçarit
Reali i Madridit inspirohet nga Deportivo la Korunja për ndeshjen e kthimit kundër Borusias së Dortmundit. Gjermanët, të cilët fituan 4-1 në shtëpinë e tyre javën e kaluar, do të marrin si shembull atë që i ndodhi Totenhemit kundër Interit në Europa League. Anglezët fituan 3-0 ndeshjen e parë dhe në ndeshjen e kthimit për pak u eliminuan nga zikaltërit. Ky është një precedent, të cilit skuadra e Klopit do mundohet t’i shmanget. Për të kthyer rezultatin 4-1, Realit do t’i duhet jo vetëm të mundin klubin e vetëm pa humbje në këtë edicion të Champions League, por dhe të shënojnë të paktën 3 gola. Angel Di Maria, i cili e filloi nga stoli ndeshjen e parë për shkak të lindjes së djalit të tij, pritet të nisë nga minuta e parë në “Bernabeu”. Shpejtësia e tij dhe kërcënimi në zonë balancohet me atë të Kristiano Ronaldos në krahun e majtë. Roli i tij do të jetë thelbësor, duke parë dhe formën e mirë të treguar në derbin me Atletiko Madridin. Argjentinasi ishte lojtari më i mirë në fushë, goditja e tij e dënimit u dërgua në rrjetë nga mbrojtësi i Atletiko Madridit, Huanfran, gjithashtu shënoi dhe golin e dytë, golin e fitores. Në Gjermani, me Ëzil në atë pozicion, Reali nuk ishte dhe aq efektiv. Shqetësimi kryesor për Realin ka qenë forma e Kristiano Ronaldos. Por duket se pas pushimit me Atletiko Madridin, pritet që portugezi të jetë në ndeshje që nga minuta e parë. Do të pritet shumë nga Ronaldo, duke parë që dhe Lukas Pisxhek nuk është në formën e tij më të mirë. Murinjo mund të zëvendësojë Sami Kedirën me Luka Modriç për të pasur një skuadër sa më sulmuese. Por një zëvendësim i tillë pritet të bëhet gjatë ndeshjes, pasi Murinjos do t’i duhet të bllokojë lojën e Ilkai Gyndogan dhe dyshja Kedira-Alonso do të ishte zgjedhja ideale për të pasur topin në mesfushë. Në sulm besohet se Benzema do të fitojë balotazhin me Gonzalo Higuain për një vend si titullar në sulm. Me një këmbë në finalen e “Uemblit”, Jurgen Klop do të hedhë në fushë formacionin më të mirë për të përfunduar punën e nisur në Gjermani. Në portë do të jetë si gjithmonë Roman Vaidenfeler, me Marcel Shmeltzer e Lukas Pisxhek nga krahët dhe Mat Humels e Neven Subotiç në qendër të mbrojtjes. Kthehet dhe Ilkai Gyndogan në mesfushë pas pushimit në kampionat, ndërsa Sven Bender mund të zëvendësohet nga Sebastian Kehl. Para tyre do të jetë Jakub Blazukovski, Marko Rojs dhe Mario Gëtze. Herën e fundit, Rojs ishte thuajse i pandalshëm kur nisej me topin në këmbë dhe do të mundohet të kapë në kundërsulm madrilenët, të cilët do të synojnë të sulmojnë gjatë gjithë kohës, pasi u nevojiten tri gola për t’u kualifikuar. Robert Levandovksi do të drejtojë sulmin, duke ditur që një gol në ndeshjen e kthimit do të vuloste kualifikimin. Katër golat që i shënoi Realit në ndeshjen e parë e kanë mbushur me besim polakun, se mund të shënojë sërish dhe të bëhet golashënuesi më i mirë i Champions League për këtë sezon. Gjermanët nuk e konsiderojnë mbrojtjen e tyre si pikë të dobët, por nuk janë të pakalueshëm. Ata kanë pësuar 20 gola në 16 ndeshje jashtë fushe në Bundesligë dhe 6 gola në 5 ndeshje të Champions League jashtë Gjermanisë. Gabimi i Mat Humels mban në lojë “Los Blankos” me atë që mund të shndërrohet në një gol shumë të rëndësishëm jashtë fushe. Ndonjë gabim tjetër në ndeshjen e kthimit në gjysmë orën e parë të lojës, mund t’i hapë rrugën “Remuntada”-s së Realit.
Formacionet e mundshme
Real Madrid (4-2-3-1)
Diego Lopez
Serxho Ramos, Varane, Pepe, Koentrao
Ksabi Alonso, Khedira
K. Ronaldo, Ëzil, Di Maria
Benzema
Tr: Murinjo
Borusia Dortmund (4-2-3-1)
Vajdenfeler
Piszczek, Subotiç, Humels, Schmelzer
Bender, Gyndogan
Blaszczkovski, Gëtce, Reus
Levandovski
Tr: Klop
