Vetëm kalimi i grupit në Champions, të cilin Max Allegri pothuajse e ka arritur si objektiv, duket se nuk do të mjaftojë për t’i shpëtuar stolin që po i lëkundet nën këmbë.

Trajneri i Juventusit është nën kërcënimin e Zinedine Zidane pas humbjes 2-1 ndaj Veronës, e dyta radhazi në Serinë A dhe e katërta në 11 ndeshje të këtij kampionati.

Sipas mediave italiane, llogaritë matematikore dhe precedentët e viteve të kaluara tregojnë se bardhezinjtë sot janë jashtë luftës për titull dhe objektivi duhet rishikuar tashmë me një vend mes katër skuadrave të para që të çojnë në Champions.

Kjo situatë mund të bëjë që drejtuesit e Juventusit të vendosin ndërprerjen e bashkëpunimit me Allegrin dhe nënshkrimin me Zinedine Zidane, një ish-juventin si lojtar. Francezi aktualisht është i paangazhuar, por për shërbimet e tij përflitet edhe një interesim nga PSG pas rezultateve të dobta të Pochettino-s.

Për të mos e lënë largimin e tij në Paris, Juventusi mund të shpejtojë në ndërprerjen e kontratës me Allegrin, ndërkohë që emra të tjerë në listë janë të bujshëm, që nga një rikthim i Conte-s, i larguar me debate e përplasje gjatë kohës që drejtonte Interin, e deri te milanisti Gatusso.