Lojtari i Al-Ahli, Riyad Mahrez, u dërgua me urgjencë në spital në Jeddah gjatë fundjavës, sipas raportimeve në Arabinë Saudite.
Ish-anësori i Manchester Cityt, i cili aktualisht luan me Al-Ahli, filloi të mos ndihej mirë gjatë natës dhe u dërgua në spital për të shmangur komplikime të mëtejshme.
Analizat fillestare tregojnë se Mahrez ka pësuar një helmim nga ushqimi, pasi ka ngrënë në një nga restorantet e qytetit. Këmbanat e alarmit ranë kur shtypi saudit publikoi disa imazhe të anësorit algjerian të shtrirë në një barelë dhe duke marrë oksigjen përmes një maske.
Gjithsesi, sulmuesi algjerian Mahrez është rikuperuar dhe ka luajtur për Al-Ahli kundër Al Taawoun të shtunën.