Roma jep një tjetër sinjal të fortë në nisjen e sezonit dhe këtë herë “çmonton” Leccen me rezultatin 4-0. Kryeqytetasit marrin fitoren e dytë radhazi dhe pas dy javësh kanë 6 pikë, 8 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.
Në qendër të këtij starti është Donyell Malen. Sulmuesi holandez e gjeti rrjetën që në minutën e 4-t, ndërsa në të 23-tën dyfishoi avantazhin me një prekje të saktë brenda zonës.
Malen shkon kështu në 5 gola në vetëm dy ndeshje dhe ngjitet i vetëm në krye të listës së golashënuesve në Serie A.
Roma nuk u ndal pas dy golave të parë. Vetëm dy minuta pas golit të dytë, Soule realizoi të tretin dhe i dha Romës një avantazh të qartë që në pjesën e parë.
Edhe pas pushimit, skuadra e Gian Piero Gasperinit vazhdoi të kontrollonte ndeshjen. Leçe nuk gjeti hapësira për të reaguar, ndërsa Roma vijoi të sulmonte.
Në minutën e 65-të erdhi edhe goli i katërt. Rodrigo Mora shënoi për herë të parë me fanellën e Romës dhe kompletoi fitoren 4-0.
Me 8 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar pas dy javësh, Roma është një nga skuadrat që ka nisur më mirë sezonin në Itali. Forma e Malen dhe mënyra se si skuadra po e menaxhon ndeshjen kanë rritur edhe pritshmëritë e tifozëve verdhekuq.
Në përfundim të ndeshjes, Gasperini u ndal te grupi dhe te përgatitjet për vazhdimin e sezonit.
“Jemi mirë, po rikuperojmë edhe lojtarët që ishin të angazhuar në Botëror. Mezi po pres që të mbyllet edhe merkato që të flasim vetëm për futboll.”-tha Gasperini.
Trajneri italian vlerësoi edhe atmosferën brenda skuadrës dhe lidhjen e lojtarëve me klubin.
“Ky është një grup i shkëlqyer, me lojtarë fantastik edhe në nivelin moral që janë shumë të lidhur me Romën dhe luajnë me pasion.”-u shpreh ai.
Roma tashmë sheh drejt javëve të ardhshme me një bilanc perfekt: dy fitore, 8 gola të shënuar dhe 0 të pësuar. Ndërsa Malen, me 5 gola në dy ndeshje, ka marrë menjëherë kreun e golashënuesve dhe po kthehet në një nga emrat kryesorë të këtij fillimi sezoni.
