Intervista


Romela Begaj shqiperia duke mbajtur Flamurin ne Londer 2012


Peshëngritësja Romela Begaj deklaroi në një intervistë për “Top Channel” në Londër se pret që të ngrejë flamurin shqiptar në këto Lojëra Olimpike, edhe pse parashikon një garë të vështirë.


E konsideruar së bashku me xhudisten Majlinda Kelmendi si shpresa më e mirë për medalje e ekipit tonë, Begaj tha në këtë intervistë për korrespondentin tonë në kryeqytetin anglez, Arben Manajn.


Mirëserdhët në Londër. Si ju duket atmosfera në prag të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike?


Atmosfera është shumë e mirë dhe sot, siç e shihni, jemi të ftuar nga ambasada shqiptare në Londër. Gjithashtu, është një kënaqësi e shtuar për mua dhe për të gjithë sportistët e tjerë fakti që do të vizitohemi nga kryeministri. E falënderoj me të vërtetë, pasi ky është një inkurajim dhe një motivim i mirë për garat e ardhshme që kemi përballë, me shpresën e një arritje sa më të mirë.


Si po shkon përshtatja me ambientin këtu në Londër?


Shumë mirë. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh dhe jemi mësuar, pavarësisht se ka pak shi dhe kjo nuk na pëlqen.


Si i konsideroni ambientet brenda vetë fshatit olimpik?


Shumë të mira. Janë të gjitha tepër luksoze dhe nuk ka asnjë fjalë që mund të them.


Sa janë shpresat për një rezultat pozitiv?


Dje u mbyllën të gjithë konkluzionet dhe deklarimet e të gjithë sportistëve që marrin pjesë në Londër dhe normal që është diçka tepër e vështirë që të synosh medalje, por personalisht do të mundohem që të arrij një rezultat sa më të mirë dhe të ngre sa më lart flamurin shqiptar, për herë të parë në Londër.


Si është atmosfera krahasuar me kolegët e tjerë sportistë?


Normal që është një emocion shumë i madh, pasi ky është kompeticioni më i madh që një atlet mund të marrë pjesë. Emocionet janë edhe pozitive edhe negative, por të gjithë sportistët janë gati për garat.


Dy peshëngritës të rezultuar pozitivë së fundmi (Qerimaj – Pulaku). Tek ju janë bërë testime antidoping?


Kam kaluar pesë teste antidoping para se të vij në Londër nga Agjencia Ndërkombëtare e Antidopingut. Nuk është hera e parë për mua, në total gjatë karrierës mund të jem kontrolluar mbi 50 herë. Jam mësuar me këtë. Pavarësisht se janë marrë shumë sportistë nga ekipet, unë personalisht nuk e kam dhënë, pasi e kam bërë këtë përpara se të nisesha për në Londër.


Kur konkurroni?


Konkurrimi im i parë është më datë 30, ditën e hënë, dhe shpresoj që t’u jap një kënaqësi sa më të madhe të gjithë shqiptarëve.