Sulmuesi portugez është krenar për rekordin dhe kualifikimin në finale: Jemi një hap larg objektivit


KËRCIMI - Në rastin e golit me kokë ndaj Uellsit, Ronaldo ka kërcyer nga toka 76.2 cm. Së bashku me trupin, gjatësia e tij arriti 2.61 cm

KËRCIMI – Në rastin e golit me kokë ndaj Uellsit, Ronaldo ka kërcyer nga toka 76.2 cm. Së bashku me trupin, gjatësia e tij arriti 2.61 cm


Në fund ka mbetur vetëm ai, me dhimbjet e tij, zhdërvjelltësinë e tij, para së gjithash me golat, sjelljen dhe përulësinë që e karakterizoi në mbrëmjen e Lionit, kur para suksesit personal, vendosi atë të skuadrës. Kristiano Ronaldo, mbret i golit në Europian, teksa me golin ndaj Uellsit, barazoi rekordin e Mishel Platinisë me 9 realizime në historinë e këtij kompeticioni. Më i madhi i të gjitha kohërave për vendin e tij, jo vetëm për golat e shënuar, por mbi të gjitha dhe për faktin se është portugezi i parë që udhëheq kombëtaren e tij në dy finale të një turneu të tillë. Edhe pse e gjithë vëmendja ishte për të, CR7 parapëlqeu të flasë për kualifikimin e skuadrës në finale: “Ajo që ka vlerë, është fakti që ne do të luajmë në finale. Mendoj se të gjithë lojtarët dhe stafi i Portugalisë meritojnë të përgëzohen për këtë, – tha 31-vjeçari. – Sa u përket rekordeve, ato janë gjithmonë të bukura dhe pse nuk është se janë një fiksim për mua. Gjithsesi e theksoj, finalja është ajo që ka rëndësi. Tani jemi vetëm një hap larg qëllimit tonë. Ëndrrat nuk kushtojnë, ndaj ne do të vazhdojmë të ëndërrojmë për trofeun”. Ronaldo ka luajtur dhe në finalen e Euro 2004, ku Portugalia u mund nga Greqia në kompeticionin e shtëpisë, por kjo e 2016-s është krejtësisht e veçantë: “Në atë periudhë isha vetëm 18 vjeç dhe ishte finalja ime e parë. Fakti që jemi sërish pas 12 vjetësh në një finale, më bën të ndihem krenar. Gjithmonë kam ëndërruar të fitoj diçka të rëndësishme me kombëtaren dhe shpresoj që ky të jetë rasti i duhur, – shpjegon Ronaldo. – Askush nuk besonte se Portugalia mund të arrinte në finale, por ne ia dolëm. Dhe kjo më bën të ndihem krenar dhe të përgatitem tashmë për një të diel të mbushur plot me ëndrra. Të dielën në mbrëmje, do të më shihni të qaj nga lumturia”. Në fund të sfidës, Ronaldo u pa teksa pati dhe një bashkëbisedim me shokun e tij te Real Madridi, Bejl, përmbajta e të cilit ka krijuar jo pak kuriozitet: “Ne patëm një bisedë normale, të cilën nuk dëshiroj ta bëj publike. Nuk kishte diçka të veçantë, thjesht e përgëzova për mënyrën sesi ai dhe skuadra e tij luajti në këtë Europian. Kanë arritur diçka madhështore dhe ndaj i urova fat”.