Ish-kapiteni legjendar i Manchester United, Roy Keane, i njohur për natyrën e tij pa doreza dhe komentet e ashpra, ka shkaktuar një furtunë të vërtetë reagimesh gjatë këtij Kampionati Botëror.
Këtë herë, analisti i njohur televiziv ka marrë në shënjestër të ashtuquajturat “WAGs” (gratë dhe partneret e futbollistëve) që ndjekin ndeshjet nga tribunat.
Keane ka shprehur irritimin e tij të madh me trendin e përhapur ku partneret veshin fanellat e skuadrave kombëtare me emrin e burrit ose të dashurit të tyre në shpinë, duke e cilësuar këtë gjest si të tepërt dhe të panevojshëm.
Gjatë diskutimit në studio mbi atmosferën e Botërorit, Keane lëshoi deklaratën e fortë që po bën xhiron e mediave ndërkombëtare: “Për fëmijët është në rregull, por që bashkëshortet dhe partneret të veshin fanellat e tyre? Uau. Një vit më vonë, shumica prej tyre janë të ndarë. E dimë mirë se me kë jeni të martuara.”
Kjo kritikë direkte ka ndezur menjëherë debatin në rrjetet sociale, duke u ndarë mes atyre që e mbështesin irlandezin për deklaratën e tij realiste dhe të tjerëve që e konsiderojnë veshjen e fanellës thjesht si një shenjë dashurie dhe mbështetjeje për lojtarët në fushë.
Top Channel
