Mirlind Daku po kalon një moment shumë të mirë në Rusi, aty ku me Rubin Kazanin është kthyer në protagonist absolut duke shënuar gola në mënyrë të vazhdueshme.

Sulmuesi i Kombëtares në një intervistë të fundit ka folur për karrierën e tij në Rusi si edhe për Kombëtaren, që në tetor ka një ndeshje shumë të rëndësishme.

Për të shënuar paguhem dhe atë po bëj. Jam shumë i fokusuar te ndeshjet një nga një. Mundohem gjithmonë të jap maksimumin tim, të ndihmoj ekipin dhe pse jo të bëj edhe statistika më të mira se sezonin e kaluar, sepse tashmë e njoh shumë më mirë ligën dhe kundërshtarët,” thotë Daku që më pas shton se synimi i ardhshëm është përtej personales.

“Tani na presin ndeshje shumë të rëndësishme me Kombëtaren. Jemi ende në garë për të shkuar në Botëror dhe do të luftojmë deri në fund për ta arritur këtë objektiv. Është një ëndërr dhe një dëshirë e secilit prej nesh dhe do të japim gjithçka që të bëhet realitet”, shprehet ai.

Mirlind Daku është bërë një nga lojtarët më të paguar të RPL-së.

Sipas “BUSINESS Online”, marrëveshja e re do të jetë e vlefshme deri në vitin 2029 (e vjetra ishte e vlefshme deri në vitin 2026). Skuadra e lojtarit shqiptar këmbënguli për një zgjatje të kontratës. Deri në fund të saj, Mirlindi do të jetë 31 vjeç, çka do të thotë se pjesa më e madhe e karrierës së tij profesioniste do të ketë kaluar te Rubini. Gjithashtu, sipas informacioneve, klubi ofroi një pagë prej 2.5 milionë eurosh neto në vit. Pjesa tjetër janë bonuse.

Kjo pagë është një rritje e konsiderueshme në krahasim me 700 mijë eurot që fitonte Mirlindi më parë. Në të njëjtën kohë, Zeniti i ofroi Mirlindit kushte shumë më të mira kontraktuale. Me të gjitha bonuset, në Shën Petersburg, ai do të fitonte pothuajse 4 milionë euro. Kjo do të thotë se Dakut nuk ka shkuar dëm “djersa”. Ai, në dy sezone ka shënuar 25 gola si dhe ka dhënë 12 asiste. Bazuar në burimet e hapura, vetëm dy lojtarë do të fitojnë më shumë se Daku në kampionatin rus. Xhon Kordoba nga Krasnodar (4 milionë euro) dhe Vilmar Barrosh nga Zenit (5 milionë euro). Të dyja klubet janë në konkurrencë të vazhdueshme për kampionatin. Kordoba është golashënuesi më i mirë i ekipit dhe Barrosh është zëvendëskapiteni i Zenitit.