Francesco Totti ka rrëfyer në librin e tij “Përtej” për marrëdhënien me Luciano Spallettin dhe procesin e afrimit mes tyre pas viteve të përplasjeve.
“Ne kemi nisur procesin e riafrimit. Kur të tregojmë të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, unë do ta mbyll gjithçka përfundimisht. Do të mund të kthehemi ata që kemi qenë më parë”, shkruan legjenda e Romës në një pjesë të librit të publikuar nga La Gazzetta dello Sport.
Totti thekson se kushtet për një pajtim mes tyre janë krijuar gradualisht.
“Kushtet ideale për paqen mes meje dhe Luciano Spallettit po krijohen ditë pas dite. Le të themi se kemi ndërmarrë një proces përtej heshtjes që ekzistonte. Nga ku lindi krisja mes nesh, nuk do ta përsëris këtu. E dinë edhe marsianët”, shkruan ai.
Një prej momenteve të para të afrimit ishte vizita e Kombëtares së Italisë, që në atë kohë drejtohej nga Spalletti, te fëmijët e sëmurë në spitalin “Bambino Gesù”. Në aktivitet ishte ftuar edhe Totti.
“Nuk doja të shkoja, por më pas mendova dhe kuptova se mund të jesh egoist, të mbrohesh nga dhimbja dhe të fshehësh plagët, por jo në kurriz të të tjerëve. Kështu që e pranova ftesën. Herët a vonë, kjo do të duhej të ndodhte”, rrëfen ish-kapiteni i Romës.
Takimi mes Tottit dhe Spallettit, në prani të presidentit të atëhershëm të FIGC-së, Gabriele Gravina, ishte i shkurtër.
“Një përshëndetje, një gjest që zgjati shumë pak. Asgjë më shumë. Nuk ndjeva asgjë, nuk ishte ende dashuri”, kujton Totti.
Ata u takuan sërish në “Olimpico” të Romës, më 14 maj 2025, në finalen e Kupës së Italisë mes Bolonjës dhe Milanit.
“Si shkon?”, “Gjithçka mirë, po ti?”, “Mirë, faleminderit”, “Mirupafshim”. Gjëra të zakonshme, por më pas u zhdukëm sërish”, tregon Totti.
Ndryshimi i madh, sipas tij, erdhi gjatë xhirimeve të një reklame.
“Ky projekt zgjati një muaj. Nuk isha shumë i bindur, por në fund u dorëzova. Secili prej nesh kishte kampin e tij për t’u ndërruar e për t’u grimuar. Dola nga kampi im dhe u nisa drejt Spallettit. Trokita. ‘Hape, çfarë, ke frikë?’. Zbriti dhe u përqafuam. Ishte diçka më e vërtetë në krahasim me atë te ‘Bambino Gesù’”, rrëfen ai.
Totti tregon edhe bisedën e parë me trajnerin gjatë xhirimeve.
“Francesco, je i kënaqur që do ta bësh këtë spot me mua?”
“Mezi prisja.”
“Gjithsesi, duhet të më falënderosh, mister. Nëse do të kisha thënë jo, nuk do të të kishin marrë as ty.”
Sipas Tottit, dy ditët e punës së përbashkët ndihmuan në zbutjen e tensioneve.
“Punuan së bashku për dy ditë. Na shërbeu, akulli u shkri, qeshëm. Ishin të qeshura spontane, jo të komanduara. U argëtova. Duhet të them se dola më i qetë”, shkruan ai.
Në verën e vitit 2026, të dy realizuan një tjetër reklamë, këtë herë gjatë tre ditëve në pronën e Spallettit në Toskanë. Totti tregon se edhe atëherë pati batuta dhe diskutime për të kaluarën.
“Si trajner ishte ndër më të mirët, me mua nuk u soll shumë mirë…”, i tha Totti.
“Jo, Francesco, është faji yt. Je ti që doje të keqen për mua dhe më largove nga Roma”, iu përgjigj Spalletti.
“Po çfarë po thua, trajner? Bëre vetë gjithçka”, ia ktheu Totti.
“Edhe aty nuk ia dolëm, por klima ishte shumë më miqësore. Nga spoti në spot, po i eliminojmë plagët”, përfundon rrëfimin e tij Totti.
