Piloti hero i helikopterit që transportoi me urgjencë Michael Schumacher në spital pas aksidentit të rëndë në ski ka folur për herë të parë pas 12 vitesh.
Yannick Dainese, i cili transportoi legjendën e Formula 1 drejt spitalit në alpet franceze pas dëmtimit të rëndë në kokë, tregoi se skenat që pa atë ditë kanë mbetur të gdhendura në kujtesën e tij. Më 29 dhjetor 2013, Yannick ishte në detyrë si pilot për kompaninë “SAF Hélicoptères”, e specializuar në shërbime emergjence mjekësore dhe operacione shpëtimi malor.
Ekipi i tij mori një telefonatë urgjente nga pistat e skive në resortin “Méribel Alpina”, ku u kërkua transport i menjëhershëm drejt spitalit për një person të plagosur rëndë. Sipas Yannick, fillimisht askush nuk e dinte identitetin e të lënduarit. Në një intervistë për “L’Équipe”, ai kujtoi momentin kur e kuptoi se bëhej fjalë për Michael Schumacher.
“Një nga personat e shpëtimit zbriti nga helikopteri bashkë me mjekun dhe më tha: ‘Po shkojmë te Schumacher!’ Në fillim mendova se po bënte shaka. Por kur komandanti na urdhëroi të hiqnim mikrofonët dhe kamerat GoPro, si dhe të ndalonim gazetarët të na shoqëronin, e kuptova se ishte e vërtetë”– tregoi ai.
Edhe pse nuk ishte tifoz i madh i Formula 1, Yannick tha se e dinte mirë statusin legjendar të Schumacherit në sport.
“Në mënyrë të pavetëdijshme, presioni ekzistonte sepse e dija që ai adhurohej si një zot. Por për mua, ai ishte thjesht një tjetër person i plagosur rëndë”, u shpreh piloti.
Atmosfera gjatë operacionit të shpëtimit, sipas tij, ishte ndër më intensivët që kishte përjetuar ndonjëherë. Zona e aksidentit u izolua menjëherë dhe pista u mbyll për skiatorët, ndërsa pranë Schumacherit mbetën vetëm ekipi i tij dhe mjekët.
“Pothuajse nuk fliste askush. Në situata të tilla secili futet në botën e vet,” kujton Yannick.
Piloti dhe kolegu i tij e vendosën shtatë herë kampionin e botës në një dyshek vakumi për stabilizim dhe më pas e transportuan në helikopter. Pasoi një fluturim pothuajse në heshtje prej 25 minutash drejt spitalit të Grenoble, ku Schumacher iu nënshtrua trajtimit emergjent. Yannick tha se në atë moment nuk e dinte shkallën reale të dëmtimeve të Schumacherit. Disa ditë më vonë, ai u rikthye në të njëjtin spital për të transportuar një tjetër të plagosur dhe pa se lajmi për aksidentin ishte bërë publik në mbarë botën.
“Pak ditë pas aksidentit u ktheva në spital për një tjetër transport emergjent. Ajo që pashë më tronditi, kishte autobusë kudo, flamuj të kuq dhe njerëz pafund. Ambienti i spitalit ishte shndërruar si një pistë Formula 1. Ishte e pabesueshme”- tregoi ai.
Aktualisht, Yannick punon si pilot për Shërbimin Francez të Sigurisë Civile në bazën ajrore të Grenoble. Ai tregoi se heshti për 12 vite nga respekti për privatësinë e familjes Schumacher. Bashkëshortja e Michaelit, Corinna Schumacher, ka krijuar ndër vite një rreth shumë të ngushtë njerëzish, familjarë, miq të afërt dhe disa mjekë, për të mbajtur private gjendjen e ish-kampionit.
Edhe sot, shumë pak detaje janë bërë publike mbi gjendjen shëndetësore të Schumacherit, përveç faktit se ai vazhdon të marrë trajtim mjekësor. Pamjet nga kamera e vendosur në helmetën e tij treguan se Schumacher nuk po lëvizte me shpejtësi të madhe në momentin kur goditi një shkëmb të fshehur nën dëborë. Ai u hodh përpara rreth 3.5 metra dhe u përplas me kokë në një gur të madh, duke e çarë helmetën në dy pjesë. Më pas, Schumacher u vendos në koma të induktuar teksa iu nënshtrua dy operacioneve të mëdha kirurgjikale. Koma zgjati plot 250 ditë, më shumë se tetë muaj. Rrëfimi i Yannick pritet të jetë pjesë e një raporti të gjerë investigativ, ku përfshihen dhjetëra mjekë dhe profesionistë që kanë pasur dijeni mbi aksidentin tragjik të Michael Schumacher.
