Etapa e tretë e edicionit të 83-të të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë solli ndryshime të rëndësishme në renditjen e përgjithshme, ndërsa triumfi i takoi zviceranit Guillaume Haldimann.

Çiklisti i skuadrës Humard VP fitoi etapën Elbasan–Vlorë prej 149 kilometrash me kohën 3:04:55, pas një sprinti të fortë final mes pesë rivalëve.

Në vendin e dytë u rendit holandezi Niels Reemeijer i ekipit Wielerploeg Groot Amsterdam, ndërsa podiumi u plotësua nga rumuni Cristian Raileanu. Pesëshja më e mirë u kompletua nga turku Burak Abay dhe belgu Stijn Sutter.

Për sa i përket çiklistëve shqiptarë, Gabriele De Fabritiis nuk arriti të mbajë ritmin me kreun dhe e mbylli etapën në vendin e 17-të, me 1 minutë e 32 sekonda diferencë.

Pas suksesit në etapën e tretë, Guillaume Haldimann mori edhe fanellën e verdhë të liderit në klasifikimin e përgjithshëm individual. Ai kryeson me 6 sekonda avantazh ndaj Niels Reemeijer, ndërsa Cristian Raileanu renditet i treti me 12 sekonda diferencë.

Gabriele De Fabritiis pozicionohet aktualisht në vendin e 19-të në renditjen e përgjithshme, me 1 minutë e 48 sekonda larg liderit.

Në klasifikimin ekipor, skuadra holandeze Wielerploeg Groot Amsterdam mban vendin e parë, me vetëm 6 sekonda epërsi ndaj ekipit sllovak Dukla Banska Bystrica. Kombëtarja e Turqisë renditet e treta, ndërsa Shqipëria pozicionohet në vendin e 14-të, me afro 28 minuta diferencë nga kreu.

Sot zhvillohet etapa e katërt me itinerarin Vlorë–Llogara–Himarë–Kuç–Vlorë, një garë që konsiderohet vendimtare për fituesin final të kompeticionit.

Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është pjesë e kalendarit zyrtar të garave të Union Cycliste Internationale prej disa vitesh.