Javën e ardhshme Neymar do të jetë në gjyq në qytetin e ish-skuadrës së tij,  Barcelonë.

Braziliani do të përballet me pesë vjet burg për akuzat për mashtrim dhe korrupsion, akuza që datojnë nga viti 2013, kur sulmuesi u transferua nga Santos te Barcelona.

DIS, një kompani investuese braziliane që në atë kohë mbante 40% të të drejtave të lojtarit, pretendon se shifrat e deklaruara në atë kohë nga Barça ishin më të ulëta dhe për këtë kompania paditi O’Ney së bashku me prindërit e tij, dy klubet dhe ish-presidentët Bartomeu dhe Rosell (Barcelona) dhe Rodrigues (Santos).

Gjykata e Barcelonës ka deklaruar se lojtari do të duhet të paraqitet të hënën për ditën e parë të seancës edhe nëse nuk është e qartë nëse ai do të detyrohet të qëndrojë në Spanjë për të gjithë kohëzgjatjen, vlerësuar në dy javë.

DIS ka deklaruar se do të kërkojë 5 vite burg për Neymar, gjithashtu ndalimin e Rosell dhe Bartomeu si dhe dëmshpërblim prej 149 milionë eurosh. Nga ana tjetër, prokurorët spanjollë duken të orientuar në kërkesën për dy vite burg për lojtarin që do të gjobitej edhe me 10 milionë euro, përveç pesë vitesh burg për Rosellin dhe 8.4 milionë euro gjobë te Barça.