Çështja


Ronaldo dhe Kaka janë mbajtur si kolateral nga “Bankia”, e cila po kalon probleme të rënda financiare


E gjithë Spanja është në krizë financiare, e cila ka prekur fort edhe futbollin. Por, në gjithë këtë krizë, kur rrugët e Madridit janë pushtuar nga protestues kundër masave shtrënguese, është një klub futbolli që kryen shpenzime marramendëse. Të gjithë i mbajnë mend blerjet shumëmilionëshe të Ronaldos, Kaka, Ozil & Co, të kryera në kulmin e krizës financiare globale. Ish-menaxheri i përgjithshëm i “Los Blancos”, Horge Valdano (i dorëhequr pas zënkave me Murinjon) thotë se madrilenët kanë luksin e shpenzimeve dhe pagave marramendëse për lojtarët e tyre, pasi vetë shoqëria nxjerr 500 milionë euro në vit. Pas milionave të Realit qëndron presidenti Florentino Perez, zotërues gjithashtu i “ACS Construcciones”, kompania e tretë më e madhe në botë në fushën e ndërtimit. Por pikërisht ndërtimi është fusha e prekur më shumë nga kriza financiare. Kërkesat për blerje kanë rënë dhe shitjet nuk mbulojnë shpenzimet në këto kohëra të vështira për këtë sektor. “ACS” ka marrë një kredi prej 900 milionë eurosh tek banka spanjolle “Bankia”, e shtetëzuar tashmë për shkak të krizës dhe Reali gëzon një borxh prej 500 milionë eurosh. Banka, e gjendur ngushtë, i shtriu dorën për ndihmë Bankës Qendrore Europiane, duke përdorur si kolateral (garanci për rikthimin e parave) pikërisht futbollistët madrilenë. Si kolateral u vendosën shumat e shfrytëzuara nga Reali i Madridit për blerjen e Ronaldo dhe Kaka. Dhe të gjithë tashmë, me të drejtë pyesin, po nëse falimenton “Bankia”, çfarë ndodh me Realin e Madridit? Skenari më i keq, por edhe më i mundshëm është falimentimi, ose shpëtimi nga një blerës në gjendje të shlyejë borxhin galopant të tyre.