Tirana fiton në Berat, Besa dhe Kastrioti marrin nga një pikë në transfertë


Java e parë e kampionatit të 74-t Kombëtar të Futbollit ka nisur mbrëmjen e ditës së premte në Shkodër. Hapja ka qenë ndryshe nga të gjitha vitet. Dekori më i mirë se ai i sezoneve të mëparshëm, gjithashtu dhe një tifozeri e paparë ndonjëherë në shkallët e stadiumeve shqiptarë në vitet e fundit. Megjithatë, ajo ishte dita e korçarëve, të cilët dolën me tri pikë nga takimi i parë duke e nisur kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme.


Tomori-Tirana


Kampionati vijoi dje me tri sfida të tjera, ku bënte përshtypje ajo mes Tiranës dhe Tomorit në Berat, nga e cila Tirana doli me 3 pikë falë 11-metërshit të fituar nga Çota dhe i ekzekutuar nga Klodian Duro në minutën e 32-të. Falë penalltisë së fituar nga Mirel Çota dhe gjuajtjes së saktë të Duros, Tirana merr tri pikët e para dhe del në krye. Megjithatë, 24-herë kampionëve u shkon më shumë kjo fitore, sepse stoli ishte i boshatisur. Rubio i ulur në tribunë për shkak se nuk ka firmosur me drejtuesit e Tiranës, ka arritur ta drejtojë ekipin e tij me anë të telefonit. Ai ka udhëzuar mjaft mirë trajnerin e dytë, i cili në këtë rast ka luajtur “telefonin e prishur” për të fituar tri pikë. Tashmë Tirana duhet të mendojë për trajnerin, sepse pikët e para erdhën.


Apolonia-Kastrioti


Ndërsa në sfidën tjetër fierakët u ndeshën me Kastriotin dhe ndeshja përfundoi me shifrat 1-1. Andi Ribaj shënoi në minutën e 3, ndërsa Isidor Sekseni nuk fal 12 minuta më vonë duke barazuar takimin. Por, e njëjta situatë si ajo e Rubios dje u konstatua dhe në Fier, Ernest Gjoka nuk u ul në stol, pasi nuk ka firmosur për Apoloninë. Kjo nxori në pah dhe një defekt të madh dhe një papërgjegjësi në klubet tona. Gjoka i Apolonisë vijoi me të njëjtën situatë si Rubio, duke përdorur mesazhet në telefon dhe shpeshherë zërin nga tribuna në mënyrë që ekipi i tij të luante më mirë se kundërshtari.


Laçi – Besa


Një tjetër takim i luajtur ishte ai në Laç, mes laçianëve dhe kavajasve, të cilët u rikthyen pas një viti në Superligë. Takimi përfundoi me rezultatin e barabartë, 1-1. Në minutën e 6 shënon me 11-metërsh mesfushori i kombëtares, Erjon Vucaj dhe vetëm katër minuta përpara përfundimit të pjesës së parë barazon një ish-laçian, Kaja. Kaq për sa i përket kësaj sfide e cila në një mënyrë apo në një tjetër tregon se skuadrat që luajnë për të njëjtat objektiva ndahen paqësisht me njëra-tjetrën.


Sot do të luhen edhe tri sfida, ku në Kukës do të përurohet stadiumi në sfidën përballë gjirokastritëve. Të dyja skuadrat vijnë në Superligë nga një kategori më poshtë. Në Berat do të luhet sërish, aty do të ndeshet Bylisi që po rikonstrukton stadiumin me Flamurtarin. Ndërsa në Peqin, Shkumbini do të luajë pa praninë e tifozëve përballë Teutës.


Java I


24.08.2012


Vllaznia – Skënderbeu 1-3


Shënues: Smajli 77’ / Pejiç 19’, 34’, 47’


25.08.2012


Laçi – Besa 1-1


Shënues: Vucaj (11-m) 6’ / Kaja 41’


Tomori – Tirana 0-1


Duro (11-m) 32’


Apolonia – Kastrioti 1-1


Ribaj 3’ / Sekseni 15’


Sot ora 17:00


Byli – Flamurtari


Kukësi – Luftëtari


Shkumbini – Teuta