Sot luhen ndeshjet e turit të parë eliminator të Europa League. Në fushë, Tirana, Teuta dhe Flamurtari


Europa League


Trajneri i Tiranës flet në prag të ndeshjes me Grevenmacher: Kam vetëm 17 lojtarë


Tri ekipet shqiptare që marrin pjesë në turin e parë të Europa League zbresin sot në fushën e blertë. E para Tirana, në orën 19:00, në stadiumin “Qemal Stafa”, dhe më pas Teuta e Flamurtari, që do të luajnë në të njëjtën orë, 20:30. Megjithatë, kur duhen edhe pak orë nga fillimi i ndeshjeve, vetëm ekipi kryeqytetas shihet favorit, ndërsa djemtë e detit të Durrësit dhe Vlorës, e nisin takimin si sfidantë.


Konferenca e Rubios – Trajneri spanjoll i Tiranës ka dalë dje në një konferencë për shtyp, ku fillimisht ka pohuar se kualifikimi përballë skuadrës së Grevenmacher (Luksemburg) mund të arrihet gjatë harkut të 180 minutave. “Kualifikimi do të vendoset pas 180 minutave, do të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë”, pohoi Rubio, ndërsa tha se ekipi që drejton tashmë në sezonin e dytë nuk ka një histori në Europë. “Tirana është klub me histori në Shqipëri, por në Europë nuk është e njohur”, vijoi tekniku, ndërsa përmendi se ka në dispozicion vetëm 17 lojtarë, si pasojë e mungesave të shumta. “Jam i kënaqur me tri afrimet e bëra, por kemi nevojë për të tjera blerje. Ilion Lika është i helmuar nga ushqimi dhe do të mungojë në ndeshjen e nesërme në stadiumin ‘Qemal Stafa’”, pohoi spanjolli.


Rikthimi i Teutës – Pas pesë viteve mungesë, Teuta e Durrësit rikthehet të provojë forcat në kupat e Europës, teksa do të përballet sot në turin e parë të Europa League me Metalurgi Rustavi të Gjeorgjisë. Për Teutën kjo është hera e 10 që merr pjesë në kupat e Europës që nga viti 1994, teksa vetëm në dy raste ka mundur të kualifikohet në raundin e parë. Pikërisht në vitin 1995, duke nxjerrë jashtë garës Inter Turku-n të Finlandës, për t’u eliminuar më pas nga Parma e Zolës dhe Inzagit. Ndërsa në vitin 2002, eliminoi maltezët e Valetës në raundin e parë të Kupës Intertoto. Në përplasjet e tjera, djemtë e detit janë eliminuar që në raundin e parë. Stafi teknik i durrsakëve ka një synim për ndeshjen e sotme: të mos pësojë gol në ndeshjen e parë dhe kualifikimin ta vendosë në Gjeorgji.


Sfida e Flamurtarit – Në kampin vlonjat janë të bindur se përballja me Honvedin do të jetë e fortë dhe kualifikimi do të vendoset në sfidën e dytë, në Hungari. Trajneri Shkëlqim Muça pohon se “ekipi kundërshtar është i fortë fizikisht, por është i barabartë me Flamurtarin”. Ai pohon se ndeshja e parë është shumë e rëndësishme dhe se grupi aktual i lojtarëve i ka të gjitha mundësitë që të kalojë këtë tur. “Besojmë te kualifikimi dhe në futboll nuk ka asgjë të pamundur”, pohoi Muça, megjithëse skuadra e tij ishte me më pak fat gjatë shortit, duke parë se Tirana luan me një ekip nga Luksemburgu dhe Teuta me një ekip Gjeorgjian.