Botërori 2014 – Triumf i merituar i kuqezinjve, të cilët kishin epërsi kundrejt kundërshtarit dhe vetëm në minutat e fundit, konkretizuan suksesin


Kombëtarja vuan, por në fund fiton 3-1 ndaj Qipros


Altin Manallari


Kombëtarja vuan disi, por goli i Sadikut në pjesën e parë dhe dy perlat e Çanit dhe Bogdanit në 6 minutat e fundit kalojnë Shqipërinë në delir, me fitoren 3-1 ndaj Qipros, duke e bërë të mrekullueshëm këtë fillim të eliminatoreve të Botërorit 2014.


Trajneri De Biazi kishte përzgjedhur më të mirët, sipas tij, për këtë ndeshje, duke i besuar portën Ujkanit, para të cilit në repartin e mbrojtjes rreshtoheshin Dallku nga e djathta, Cana e Mavraj në qendër dhe Lila në të majtë. Në mesfushë debutonin dy afrimet e reja, Meha në të majtë, Kukeli në qendër përkrah Bulkut dhe Vila në të djathtë. Ndërsa surpriza ishte ulja e Bogdanit në stol, pasi në fushë zbret dyshja Salihi-Sadiku, që kompleton modulin 4-4-2. Shqipëria është agresive që në minutat e para dhe krijon dy raste, ku në minutën e 2-të vjen një kros i Mehës për Salihin, i cili me një roveshatë mund të kishte shënuar golin e avantazhit, por topi përfundon pak mbi traversë. Pak minuta më vonë (8’) është sërish Meha, i cili ka demonstruar se është një lojtar inteligjent për atë që ka shfaqur në 45 minutat e para, bëhet sërish protagonist me shmangie të mbrojtësit kundërshtar që pasohet me një goditje “alla Del Piero”. Loja e tanëve duket se ka rrjedhshmëri, por megjithatë, rastet në portën kundërshtare nuk janë të shumta. Gjithsesi, spikasin dy debutuesit Meha dhe Kukeli, të cilët tregojnë menjëherë se janë një sinjal i mirë për të ardhmen e Kombëtares. Ekipi ishte i vendosur mirë në fushë, duke respektuar udhëzimet e trajnerit De Biazi. Në minutat në vazhdim, kuqezinjtë e kanë të vështirë të gjejnë hapësira në mesfushën kundërshtare, pasi qipriotët mbrohen me forca të shumta dhe ushtrojnë presing në momentin që tanët kanë topin në këtë zonë. Në minutën e 28-të, Shqipëria ndërmerr një kundërsulm të shpejtë, që nis nga këmbët e Mehës dhe arrin në hyrje të zonës me Bulkun, i cili kroson nga e majta për Salihin, por ky i fundit, në një pozicion të mirë për të shënuar, nuk ka mundur ta devijojë topin drejt rrjetës. Një rast i artë i humbur. Kuqezinjtë kanë epërsi në fushë, por për të shkuar te goli duhet të presim minutën e 36-të, kur pas një goditjeje dënimi nga e majta e zonës qipriote, Meha çon topin në zonë, ku Sadiku në dyluftim me kapitenin e miqve, Kostandinu, arrin të devijojë topin në rrjetën e portës së miqve. Salihi kërcënon me një gjuajtje nga një pozicion i prirët, por kur pritej që skuadrat të shkonin në pushim me avantazhin 1-0, minuta e tretë e shtesës së pjesës së parë rezulton fatale për Shqipërinë. Një goditje dënimi pa pretendime e ekzekutuar nga miqtë me anë të Vinset, nuk preket nga asnjë në zonë dhe çuditërisht përfundon në rrjetë, pasi gjen të papërgatitur Ujkanin. Një gabim i pafalshëm i mbrojtjes, e cila nuk u tregua aspak e kujdesshme. E mira do të kishte qenë që ta kishim mbyllur me fitore. De Biazi i beson edhe në pjesën e dytë të njëjtëve lojtarë, të cilëve u kërkon të shtyjnë përpara në kërkim të golit të dytë. Meha kërcënon me një goditje dënimi, por më pas, rreziku zhvendoset në portën tonë, ku në minutën e 58, Lila largon keq një top që merr fals dhe për fatin tonë të mirë përfundon në shtyllë dhe largohet nga Dallku. Trajneri kërkon më shumë thellësi dhe largon Sadikun e Vilën, vendin e të cilëve e zënë Hyka e Bogdani. Shqipëria nuk është e qartë në aksionet e saj, mungon loja në krahë dhe e ka të vështirë të krijojë raste të mirëfillta në portën kundërshtare, përjashto dy gjuajtjet e Mehës dhe Kukelit nga distanca. Ndeshja dukej se nuk do të zhbllokohej, me gjithë këmbënguljet e tanëve. Zhgënjimi ishte i pranishëm kudo, por për të kaluar Shqipërinë në delir mjaftojnë vetëm 6 minutat e fundit të kohës së rregullt. Në të 84-ën, kros nga e majta e sulmit tonë, Çani kërcen më lart se mbrojtësit qipriotë dhe me goditjen e tij me kokë realizon një gol me peshë. Vullkani “Qemal Stafa” shpërthen, por vetëm një minutë më vonë, për ta mbajtur të ndezur, duhet edhe një gol për manual i Erjon Bogdanit, i cili ka vulosur një fitore të rëndësishme të kuqezinjve 3-1, e cila i fal Shqipërisë një nisje me këmbë të mbarë në eliminatoret e Botërorit 2014.


 


Trajneri


De Biazi: E merituam fitoren Dedikimi im është për vajzën


Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Xhani De Biazi u shfaq i kënaqur në deklaratën për shtyp: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, siç e patë edhe vetë. Duhet të mundohemi të rritemi pak nga pak si ekip, për të përmirësuar ato të meta që kemi në ekip. Zgjodha të luaj me këtë formacion, sepse i kisha ndjekur në 4 ditë përgatitje. Duke ditur që Bogdani dhe Çani nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë fizike. E dija që Qipro ka disa lojtarë të mirë që bëjnë presing, ndaj në pjesën e dytë, hodha në fushë lojtarë të shpejtë, që luajnë mirë me topin. Luajtëm një ndeshje të mirë, të gjithë u impenjuan si duhet. Ishte një ndeshje e luajtur mirë nga i gjithë ekipi. Shpresoja që Çani e Bogdani të zhbllokonin ndeshjen, duke besuar te freskia e tyre në pjesën e dytë. Do të më lejoni të bëj dhe një urim për vajzën time, e cila sot ka festuar 20-vjetorin e saj. Këtë fitore ia dedikoj asaj”.