“Ajo që ne kemi bërë, e rrallë në kontinent. Duam të shpallemi nënkampionë dhe të luajmë në Europë”


Altin Manallari


Safet Gjici, Starova dhe Cungu , drejtuesit e KukesitQë në momentin e parë ka vendosur të investojë për skuadrën e Kukësit në fillim të këtij sezoni dhe i ka pasur të qarta objektivat e tij, duke i bërë ato publike. Por shumëkush në atë fillim nuk e besoi presidentin Safet Gjici, madje ndoshta iu duk edhe qesharak. Sot, kur jemi vetëm dy javë para fundit të edicionit, realiteti i ka dhënë të drejtë atij. Kukësi renditet i dyti, një vend plotësisht i merituar, i cili e bën të jetë kandidati më favorit për të qenë nënkampion i Shqipërisë dhe duke bërë hapin historik të katapultimit të skuadrës brenda një viti kalendarik nga Kategoria e Parë në Europa League. Lojtarët i kishin premtuar Europa League si një dhuratë për ditëlindjen, të cilën e ka festuar vetëm pak ditë më parë dhe ai nuk ka ngurruar ta quajë si dhurata më e bukur e jetës së tij. Por për të arritur deri këtu, fitorja 6-1 ndaj Flamurtarit të shtunën, është vetëm konfirmimi më i mirë. “Kemi mundur Tiranën, Vlorën, dhe me Teutën kemi qenë shumë pranë fitores, kemi rivalizuar denjësisht ndaj Skënderbeut, u shpreh dje numri një i klubit të Kukësit. Asgjë nga këto nuk ka qenë një rastësi. Sigurisht që kishte mundësi të bënim edhe më mirë sesa kaq, por nuk e përjashtoj që në disa raste na kanë ngrënë edhe hakun”, polemizon disi Gjici. Gjithsesi për momentin nuk dëshiron të shpërqendrohet dhe thekson se dy javët e mbetura nuk do të ndryshojnë atë që Kukësi ka arritur në një sezon të tërë të luajtur si një nga skuadrat që ka zbukuruar kampionatin shqiptar. “Ne besojmë se me atë që kemi bërë, kemi demonstruar se jemi një skuadër me potencial dhe që deri këtu ka ardhur me meritë të plotë, pa ndihmën e askujt. Në dy javët e mbetura do të japim maksimumin për të ruajtur vendin e dytë dhe për t’u shpallur nënkampionë të Shqipërisë. Besojmë te ky objektiv”. Sezonet e kaluara kanë demonstruar se surprizat në javët e fundit nuk përjashtohen, pasi aleancat nën rrogoz nuk mungojnë në këtë periudhë, por Gjici beson se skuadra e tij ka potencialin e duhur për të vendosur fatin e saj. “Në Shqipëri çfarë nuk ndodh, por unë besoj se me potencialin që ka ekipi ynë, do të mund të arrijmë të marrim më të mirën përballë dy kundërshtarëve të dy javëve të fundit, Kastriotit dhe Skënderbeut, dy skuadrave të cilat për momentin nuk kanë objektiva në lojë”, thotë presidenti i verilindorëve, i cili nuk i fsheh emocionet e ecurisë së deritanishme të skuadrës. “Ajo që ka bërë Kukësi në këtë sezon është vështirë të gjejë një rast të ngjashëm në Europë, rrëfehet numri një i presidencës kuksiane. Ndoshta deri diku e ka bërë Kievo. Brenda një viti jemi promovuar nga Kategoria e Parë në Superiore dhe po gjatë kësaj kohe kemi rivalizuar skuadrat më të forta, duke qenë shumë pranë mbylljes së sezonit në vendin e dytë, që na çon në Europa League dhe na jep titullin e nënkampionit të vendit”. Për sa i përket të ardhmes, Gjici preferon të jetë i rezervuar: “Është ende shumë shpejt për të folur për objektivat e sezonit të ardhshëm, pasi akoma nuk e kemi mbyllur sezonin aktual”. Por ajo që meriton më shumë vëmendje ka të bëjë edhe me të ardhmen e tij ende të paqartë në drejtimin e kuksianëve, pasi Gjici është një nga kandidatët për të investuar te Tirana. “Për momentin unë vazhdoj të mendoj për Kukësin, edhe pse te Tirana kam lënë një projekt, i cili nëse do të miratohet, atëherë do të shkoja te Tirana. Do të më vinte keq të ikja nga Kukësi, sepse kam bërë një investim shumë të madh dhe se jam edhe vetë kuksian, por të shohim çfarë do të ndodhë”, përfundoi prononcimin e tij Safet Gjici.


 


E ardhmja në dilemë, Kukësi apo Tirana?


“Për momentin unë vazhdoj të mendoj për Kukësin, edhe pse te Tirana kam lënë një projekt, i cili nëse do të miratohet, atëherë do të shkoja te Tirana. Jam në pritje të përgjigjes. Do të më vinte keq të ikja nga Kukësi, sepse kam bërë një investim shumë të madh dhe se jam edhe vetë kuksian, por të shohim çfarë do të ndodhë”, përfundoi prononcimin e tij Safet Gjici.