Pekin 2008
Prizreni ishte flamurmbajtësi i Shqipërisë në Lojërat Olimpike të vitit 2008, të cilat ishin të dytat për të, pasi ai kishte qenë pjesëmarrës edhe në vitin 2004
Kualifikimi
Mundësi shqiptar nuk do të përfaqësojë flamurin kuqezi në Lojërat Olimpike
Një mundës shqiptar do të jetë pretendent për medalje në Rio 2016, por nëse ngjitet në podium, nuk do të mbajë mbi shpatulla flamurin kuqezi. Sahit Prizreni, pas dy olimpiadave si përfaqësues i Shqipërisë, duke qenë edhe flamurmbajtës në Pekin 2008, në Rio 2016 do të përfaqësojë Australinë. 33-vjeçari shqiptar siguroi biletën e tij në aktivitetin e kësaj vere në garat kualifikuese të zhvilluara gjatë fundjavës në Algjeri, ku arriti në finalen e peshës 65 kilogramë, duke u konfirmuar ndër më të fortët në këtë kategori.
Sahit Prizreni ka qenë një nga emrat më të spikatur të mundjes shqiptare në dekadën e fundit, duke arritur rezultate të larta në garat kombëtare e ndërkombëtare. Por pas disa polemikash me drejtuesit e KOKSH-it dhe MAS-it, ai bëri të ditur se nuk do të garonte më për ngjyrat kuqezi. Dy vite më parë, ai u pajis me pasaportën australiane dhe vendosi të garonte në të ardhmen për këtë shtet, edhe pse vazhdonte të jepte kontributin e tij në Shqipëri duke stërvitur shumë mundës të perspektivës, pavarësisht problemeve financiare që po kalon kjo disiplinë sportive në vendin tonë.
Që në momentin kur ai filloi të stërvitej me ekipin kombëtar të Australisë, Prizreni mori mbështetjen që i kishte munguar në Shqipëri, gjë të cilën ai nuk ka ngurruar ta pranojë publikisht në mediat australiane gjatë vitit të fundit. Rezultatet e siguruara në kampionatin kombëtar në Australi konfirmuan talentin e tij të padiskutueshëm, edhe pse në vitet e fundit të karrierës sportive, pasi ai siguroi me lehtësi pjesëmarrjen në kualifikueset olimpike. Të dielën, në Algjer të Algjerisë, ai arriti deri në finalen e peshës 65 kilogramë në mundjen klasike, një rezultat që i mjaftoi për të zënë vend mes pjesëmarrësve në Rio 2016.
33-vjeçari është shqiptari i dytë që siguron pjesëmarrjen në garat e mundjes në Rio 2016, pas Elis Gurit. Mundësi shkodran, ashtu si kuksiani, do të garojë për një shtet tjetër, Bullgarinë. Edhe ky i fundit ka siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike falë normave dhe jo nëpërmjet ftesave të Federatës Ndërkombëtare. Ndërkohë, mundja shqiptare mbetet në rolin e spektatorit në këtë Olimpiadë, pasi nuk ka siguruar as normat e as ftesat për pjesëmarrjen e saj në aktivitet. Në një situatë të tillë, nuk është për t’u çuditur nëse në vitet në vazhdim, sportistë të tjerë të talentuar të kësaj disipline do të braktisin vendin tonë, për të arritur majat e sportit botëror duke valëvitur flamujt e shteteve të tjera.