Suksesi kundër Vllaznisë është shoqëruar me një lajm negativ për Skënderbeun, i cili ka mësuar se nuk do të ketë në dispozicion për sfidën kundër Beshiktashit sulmuesin Hamdi Salihi. Futbollisti, i zëvendësuar për dëmtim në minutën e 18-të të sfidës, pritet të mungojë për të paktën 3 javët e ardhshme si pasojë e këtij dëmtimi muskulor. Konfirmimi erdhi nga trajneri Mirel Josa pas ndeshjes. “Salihi u dëmtua në biceps dhe me shumë gjasa, për 3 javë nuk do të jetë, të paktën sipas asaj që tha mjeku. Por të presim ç’do të thotë mjeku në një vizitë më të specializuar në ditët në vijim”, tha ai. Nëse do të konfirmohet prognoza e parë, Salihi pritet të mungojë për ndeshjet e kampionatit kundër Tërbunit, Tiranës e Bylisit, takimit të Kupës ndaj Tomorit, si dhe atij të Europa League kundër Beshiktashit. Klubi nuk dëshiron të sforcojë lojtarin, duke shpresuar që ta ketë në formën më të mirë për sfidën e dytë në arenën ndërkombëtare, që luan kundër Lokomotiv të Moskës më 1 tetor.
