Sulmuesi


Pas një starti të vështirë të sezonit në kampionatin amerikan të futbollit, duket se ka mjaftuar një gol me klas i Hamdi Salihit, për të rikthyer vlerësimet maksimale të ish-golashënuesit të Rapidit të Vjenës. Ai ka marrë notën 5 në vlerësimet e bëra për paraqitjen e tij në ndeshjen mes DC Junajtid dhe San Hozes. Salihi më në fund po shikon ditë të bardha në Amerikë, ndërsa shënoi golin e parë zyrtar që kur kaloi në Uashington. Me të drejtë u vlerësua se mënyra e realizimit të golit nuk ishte edhe aq e lehtë, edhe pse asisti i De Rozarios ishte i shkëlqyer. Salihi vrapoi në kohën e duhur dhe ia kaloi vetëm për pak mbrojtësit dhe portierit, duke gjuajtur me zgjuarsi drejt rrjetës.