Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, konfirmoi se nesër pritet të mbahet këshilli bashkiak për të miratuar shitjen e San Siros, stadiumit ikonë të qytetit, pas arritjes së një marrëveshjeje me klubet Milan dhe Inter.

“Stadiumi duhet të jetë gati deri në vitin 2031, sepse UEFA na ka bërë të ditur se nuk do të marrë në konsideratë Milanin për Kampionatin Evropian 2032 nëse San Siro mbetet në gjendjen aktuale,” shtoi Sala.

Megjithëse kushtet e shitjes nuk janë publike ende, kjo është një pikë kthese e rëndësishme për klubet dhe tifozët. Pas një procesi të gjatë dhe të lodhshëm, Milan dhe Inter do të kenë mundësinë të fillojnë planifikimin për modernizimin e stadiumit të tyre, duke e kthyer atë në një nga stadiumet më të mira të Evropës.

Pas vlerësimeve të opsioneve të tjera, përfshirë Rozzano për Interin dhe San Donato për Milanin, shtëpia e Nerazzurrëve dhe Rossonerëve do të mbetet në vendndodhjen e saj tradicionale, në zemër të Milanos.

Kryebashkiaku përfundoi me optimizëm: “Tani e vetmja gjë që mbetet është të presim me besim nesër dhe të kryqëzojmë gishtat që gjithçka të shkojë mirë. Marrëveshja e shumëpritur ka mbërritur. Tani le të fillojmë punën për t’i dhënë Milanit stadiumin që meriton.”/ Top Channel