Me nisjen e muajit të Ramazanit, rikthehet në vëmendje mënyra se si futbolli përshtatet me nevojat e lojtarëve myslimanë.

Në Arabinë Saudite kjo çështje trajtohet natyrshëm, pasi shumica e futbollistëve agjërojnë dhe kampionati organizon stërvitjet dhe ndeshjet duke marrë parasysh këtë periudhë të veçantë. Në këtë kontekst, ka dalë në pah një episod interesant që lidhet me Cristiano Ronaldo-n.

Sipas një rrëfimi në ‘podcast’-in Thmanyah Sports, ish-lojtari i Al-Nassr FC, Shaye Sharahili, tregoi një ngjarje nga sezoni i kaluar. Edhe pse nuk është mysliman, Ronaldo vendosi të provonte të agjëronte së bashku me shokët e tij të skuadrës. “Vitin e kaluar Cristiano deshi të agjëronte me bashkëlojtarët myslimanë të Al-Nassr. Ai e respektoi agjërimin për dy ditë, për të kuptuar se çfarë ndjesie është”, u shpreh Sharahili.

Sipas tij, ky ishte një gjest i lindur nga kureshtja dhe respekti për kulturën dhe zakonet e dhomës së zhveshjes, pa asnjë prapamendim tjetër. Episodi konsiderohet si pjesë e procesit të integrimit të Ronaldos në futbollin saudit, ku aspektet jashtë fushe janë pjesë e rëndësishme e përditshmërisë.

Ky detaj, i përhapur shpejt në rrjetet sociale, ka marrë reagime pozitive nga tifozët vendas dhe ka forcuar imazhin e një kampioni që di të përshtatet me kultura të ndryshme. Përtej golave dhe rekordeve, edhe gjeste të tilla shpjegojnë pse figura e Ronaldos vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.