Një zbulim i bujshëm historik, i publikuar fillimisht nga Globo Esporte dhe i pasqyruar më pas nga mediat më të mëdha sportive në botë, si Goal, Yahoo Sports, beIN Sports dhe OneFootball, ka nxjerrë në dritë një kapitull krejtësisht të panjohur të historisë familjare të Lionel Messit.

Pas tre vitesh kërkime në arkivat e Italisë, Brazilit dhe Argjentinës, historiani italian Fiorenzo Santini ka rindërtuar pemën gjenealogjike të familjes Cuccittini, duke zbuluar se paraardhësit e yllit argjentinas jetuan për disa vite në Brazil, shumë përpara se të vendoseshin përfundimisht në Rosario.

Zbulimi ka ngjallur menjëherë reagime në mbarë botën, pasi bëhet fjalë për futbollistin që konsiderohet nga shumë si më i madhi i të gjitha kohërave.

Një histori që nis në Itali

Sipas dokumenteve të zbuluara, stërgjyshi i largët i Messit, Raniero Coccettini, lindi në qytetin italian San Severino Marche. Në vitin 1899, ai dhe bashkëshortja e tij, Rosa Ricchezza, emigruan drejt Brazilit në kërkim të një jete më të mirë, ashtu si mijëra familje italiane të asaj periudhe.

Familja u vendos në Ribeirao Preto, në shtetin e Sao Paulos. Pikërisht aty, rreth viteve 1904-1905, lindi djali i tyre Federico, i cili më vonë do të bëhej stërgjyshi i drejtpërdrejtë i Lionel Messit.

Si lindi mbiemri Cuccittini?

Një nga detajet më interesante të kërkimit lidhet me ndryshimin e identitetit të familjes. Dokumentet tregojnë se emri Arderigo u ndryshua në Federico, ndërsa mbiemri origjinal Coccettini mori formën Cuccittini, me të cilën familja u bë e njohur më vonë në Argjentinë. Vetëm një vit pas lindjes së Federico-s, familja u largua nga Brazili. Më 27 shtator 1905, mbërriti në Rosario, qyteti ku dekada më vonë do të lindte Lionel Messi.

A mund të kishte luajtur Messi për Brazilin?

Kjo është pyetja që ka pushtuar rrjetet sociale pas publikimit të historisë. Megjithatë, ekspertët sqarojnë se përgjigjja është jo. Rregulloret e FIFA-s nuk bazohen vetëm te vendlindja e paraardhësve, por te shtetësia dhe lidhjet ligjore të futbollistit.

Fakti që stërgjyshi i Messit lindi në Brazil nuk do t’i jepte automatikisht legjendës argjentinase të drejtën për të përfaqësuar kombëtaren braziliane. Bëhet fjalë për një episod historik në emigrimin e familjes dhe jo për një origjinë braziliane në kuptimin juridik apo sportiv.

Një zbulim që po bën xhiron e botës

Publikimi i dokumenteve ka tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe të tifozëve të futbollit. Historia e familjes së Messit shton një kapitull të ri në biografinë e tetë herë fituesit të “Topit të Artë”, duke treguar se rrënjët e familjes së tij kaluan nga Italia në Brazil dhe vetëm më pas në Argjentinë.

Edhe pse ky zbulim nuk ndryshon asgjë në historinë sportive të Lionel Messit, ai zbulon një detaj të panjohur deri më sot për origjinën e familjes së një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ka ndezur diskutime në mbarë botën për “historinë alternative” që mund të kishte marrë karriera e tij.