Një lajm që pak kush do ta kishte imagjinuar po bën bujë në botën e futbollit. Legjenda braziliane Ronaldinho pritet të rikthehet në fushën e lojës në moshën 46-vjeçare, pasi ka arritur një marrëveshje me klubin italian Ravenna FC.
Sipas informacioneve të bëra publike, prezantimi zyrtar i projektit do të zhvillohet më 23 qershor në Miami, ku pritet të zbulohen detajet e plota të bashkëpunimit mes ish-fituesit të Topit të Artë dhe klubit italian.
Vetë Ronaldinho ka konfirmuar entuziazmin e tij për aventurën e re, duke lënë të kuptohet se nuk bëhet fjalë vetëm për një operacion marketingu, por për një përfshirje të drejtpërdrejtë në projektin sportiv të klubit.
“Një kapitull i ri po nis. Futbolli më ka dhënë gjithmonë emocione të jashtëzakonshme dhe dua të vazhdoj t’i ndaj ato me tifozët. Jam i lumtur për këtë sfidë dhe mezi pres të nis këtë rrugëtim të ri”, është shprehur braziliani.
Nga ana tjetër, presidenti dhe pronari i klubit, Ignazio Cipriani, e cilësoi marrëveshjen si një moment historik për Ravenën. Sipas tij, ardhja e Ronaldinhos përfaqëson një mundësi unike për të rritur profilin e klubit jo vetëm në Itali, por edhe në nivel ndërkombëtar.
Raportimet bëjnë me dije se Ronaldinho do të jetë pjesë e fazës përgatitore verore dhe pritet të zbresë në fushë në disa ndeshje zyrtare. Përveç aspektit sportiv, ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit do të ketë edhe një rol në strukturën e klubit, pasi planifikohet të investojë dhe të marrë një pjesë të aksioneve të Ravenës.
Lidhja mes palëve nuk është e re. Që në fund të vitit të kaluar, Ronaldinho u fotografua me simbolikën e klubit italian, duke nxitur spekulime të shumta për një bashkëpunim të mundshëm. Tashmë, pas muajsh thashetheme, gjithçka duket se po shkon drejt zyrtarizimit.
Nëse marrëveshja konfirmohet në detajet e saj përfundimtare, rikthimi i Ronaldinhos do të përbëjë një nga historitë më të veçanta të futbollit në vitet e fundit, duke rikthyer në qendër të vëmendjes një prej lojtarëve më spektakolarë që ka njohur ndonjëherë ky sport.
