Atmosfera te Serbia nuk duket edhe aq e qetë, nëse bëhet fjalë për trajnerin Dragan Stojkoviç. Ky i fundit është vendosur shpesh herë në qendër të kritikave.

Stojkoviç është shprehur së fundmi se nuk e ndjen presionin, që mundohet të krijohet. Për më tepër, fjalët e tij ishin tronditëse pasi në konferencë tha edhe se ndoshta ndonjë prej tyre do që të vijë humbja ndaj Shqipërisë.

“Nuk e ndjej presionin. Ju jeni ata që e ndjeni presionin, ju gazetarët, ekspertët dhe kritikët e përhershëm. Ndoshta një nga ju do të donte që Shqipëria të na mposhtë”, u shpreh Stojkoviç në konferencë për shtyp.

Trajneri i Serbisë edhe më parë është shprehur se ka analistë që mbështesin Shqipërinë. Mediat në Serbi nxorën në pah emrin e Rade Bogdanoviç si një prej tyre.

Më herët trajneri deklaroi:

“Nuk kemi çfarë të fshehim. Publiku meriton të dijë për gjendjen e lojtarëve, lëndimet dhe ndryshimet në skuadër.
Jemi të përgatitur për sfidën. Tani fokusi ynë janë dy ndeshjet e radhës – Shqipëria dhe Andorra. Duhet të ecim përpara dhe të marrim tri pikët”, deklaroi Stojkoviç.

Trajneri serb e cilësoi takimin ndaj Shqipërisë si vendimtar për objektivin e kualifikimit.

“Ndeshja me Shqipërinë është shumë e rëndësishme, hap rrugën drejt marsit të ardhshëm. Jam i bindur se kemi lojtarët dhe kapacitetin për ta fituar dhe për të siguruar një vend në play-off”, u shpreh ai.

Përballja Serbi–Shqipëri do të luhet mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Leskovacit dhe do të përcillet drejtërdrejt në DigitAlb.