Ndeshja e shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për Kualifikueset e Botërorit 2026, është planifikuar të luhet më 11 tetor në stadiumin “Rajko Mitić” të Beogradit. Megjithatë, Federata e Futbollit e Serbisë ka dalë me një propozim të ri: zhvendosjen e ndeshjes në qytetin e Leskovcit.
Lajmin e konfirmoi sekretari i përgjithshëm i federatës, Branko Radujko, i cili deklaroi për mediat serbe se po punohet për të marrë miratimin për këtë ndryshim.
“Po shqyrtojmë me serioz mundësinë që ndeshja me Shqipërinë të mos zhvillohet në Beograd, por në Leskovc. Ajo është ndeshja më e rëndësishme për ne në këto kualifikuese, pasi vendos drejtpërdrejt për shkuarjen në playoff për Kupën e Botës”, tha Radujko.
Sipas tij, kombëtarja e Serbisë ka pasur gjithmonë një mjedis të qetë për përgatitje në Leskovc dhe është pritur me mbështetje të madhe nga tifozët vendas.
“Leskovci është një qytet ku kombëtarja është përgatitur shpesh në mënyrë të qetë dhe ku kemi marrë rezultate pozitive. Kam besim se do të luajmë atje,” u shpreh zyrtari serb.
Edhe pse nuk është dhënë një arsye zyrtare, burime të ndryshme aludojnë se ndryshimi i vendndodhjes vjen për të shmangur tensionet e mundshme politike dhe sigurie që shoqërojnë zakonisht përballjet mes këtyre dy kombëtareve.
Federata Serbe është ende në pritje të miratimit për këtë kërkesë. Deri tani, as FIFA dhe as UEFA nuk kanë bërë ndonjë deklaratë zyrtare në lidhje me mundësinë e zhvendosjes së ndeshjes nga kryeqyteti serb.
Nëse ndryshimi miratohet, kjo do të jetë hera e parë që një ndeshje mes Shqipërisë dhe Serbisë në një kompeticion ndërkombëtar nuk zhvillohet në Beograd.