Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar zyrtarisht se ndeshja kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet më 11 tetor në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd.

Me një kapacitet prej 51.755 vendesh, “Rajko Mitić” është stadiumi më i madh në Serbi dhe shtëpia e klubit Crvena Zvezda, ndryshe i njohur si ‘Ylli i Kuq i Beogradit’. Ndeshja e 11 tetorit nuk dihet ende nëse do të luhet me praninë e tifozëve, apo edhe nëse do të lejohen vetëm tifozët serbë e jo ata shqiptarë.

Në të njëjtin stadium do të luhet edhe ndeshja ndaj Anglisë më 9 shtator, ndërsa sfida përmbyllëse e grupit ndaj Letonisë, më 16 nëntor, do të zhvillohet në stadiumin “Duboçica” në Leskovc.

“Pas një analize të hollësishme, e cila, përveç aspektit sportiv, përfshiu edhe segmentin organizativ dhe të sigurisë, përfshirë konsultime me Qeverinë Europiane të Futbollit (UEFA), u arrit në përfundimin se stadiumi ‘Rajko Mitić’, si impianti më i madh i futbollit në vend, do t’i ofrojë ekipit kombëtar kushte optimale për zhvillimin e ndeshjeve me rëndësi të lartë.”– thuhet në njoftimin e Federatës serbe.

Kujtojmë që ndeshja e fundit në tetor të vitit 2014 u luajt në stadiumin e Partizanit të Beogradit dhe u shoqërua me dhunë të paprecedentë ndaj lojtarëve shqiptarë, duke e bërë të pamundur zhvillimi ne saj. Në fund, Shqipëria fitoi takimin me rezultatin 3-0 në tavolinë.