Të gjitha skuadrat e mëdha po planifikojnë ndryshime në ditën e fundit


Hernanes – Emri më i lakuar i merkatos në ditën e fundit është ai i mesfushorit brazilian të Lacios, i cili kërkohet nga Interi. Por Lacio mund të mos e shesë, duke iu frikësuar reagimit të tifozëve që kanë kontestuar drejtuesit


Osvaldo – Juventusi ka siguruar në formë huazimi sulmuesin e kombëtares, me të drejtë blerjeje për 20 milionë euro në fund të sezonit


Klose – Sulmuesi mund të kalojë në formë huazimi tek Arsenali, skuadër që po interesohet njëkohësisht edhe për malazezin Vuçiniç


Paleta – Mbrojtësi i Parmës është objektivi i vetëm i Milanit, që kërkon të përforcojë prapavijën në ditën e fundit të merkatos


calciomercatoMerkatoja e janarit shpesh nuk ka shumë lëvizje, por kjo nuk mund të thuhet për skuadrat kryesore të Serisë A që presin lëvizje të rëndësishme pikërisht në ditën e mbylljes së merkatos. Osvaldo, Vuçiniç, Klose, Guarin, Hernanes, por edhe Postiga, janë disa nga emrat që do të diskutohen gjatë deri në minutën e fundit të hapësirës së merkatos.


Kryesuesit e Juventusit, pasi kanë siguruar në formë huazimi sulmuesin Osvaldo (me të drejtë blerje për 20 milionë euro në fund të sezonit), do të mundohen në të gjitha mënyrat të shesin një sulmues. Konte do të preferonte të sakrifikonte Vuçiniç, por Interi duket se nuk do të insistojë për malazezin. Shpresa e fundit e bardhezinjve është transferimi i tij tek Arsenali, që kërkon një sulmues për pjesën e dytë të sezonit duke parë problemet që kanë shfaqur “topçinjtë” në repartin e avancuar. Në vendnumëro ka mbetur diskutimi me Interit edhe për sa i përket Guarin, pasi zikaltrit nuk kanë vendosur ende se çfarë do të bëjnë me mesfushorin.


Tohir është në Milano, por po mendon më shumë për blerjen e Hernanes nga Lacio sesa për kolumbianin që kërkon të transferohet te Juventusi. Pronari i ri i zikaltërve pret të flasë me Lotiton e Lacios për brazilianin, por ai po përballet me kontestimin tifozëve që nuk duan largimin e mesfushorit. Situata ka mbetur e pandryshueshme tek Interi edhe për sa u përket largimeve të Ikardit dhe Belfodilit. I pari nuk ka pranuar të transferohet te Monako në Francë, ndërsa i dyti ka hedhur poshtë mundësinë e kalimit të QPR në kategorinë e dytë angleze, ndonëse do të gjente atje më shumë hapësira aktivizimi. Me shitjen e mundshme të tyre, Interi do të siguronte të ardhurat për të blerë Nanin nga Mançester Junajtidi, një ëndërr që mund të shtyhet për në merkaton verore.


Ndërkohë, Lacio vazhdon të bëjë ndryshime rrënjësore në repartin e sulmit. Pas largimit të Flokarit drejt Sasuolos, bardhekaltrit kanë arritur të sigurojnë Helder Postigën nga skuadra e Valencias. Megjithatë, klubi po merr seriozisht në konsideratë idenë e huazimit deri në fund të sezonit të Miroslav Kloses, për të cilin ka pasur interesim nga Arsenali.


Napoli nuk po bën lëvizje shumë të mëdha, por ka përforcuar ndjeshëm mbrojtjen me transferimin thuajse të përfunduar për 5 milionë euro të Fauzi Gulam nga St. Etien, si dhe brazilianit Henrike nga Palmeiras. Nga napolitanët mund të largohet Armero, i kërkuar nga anglezët e Uest Hem. Për mbrojtjen po punon edhe Roma, që ka siguruar 23-vjeçarin Toloi nga Sao Paolo, një tjetër futbollist me perspektivë që u afrohet verdhekuqve.


Milani vazhdon të punojë për transferimet me kosto të ulët. Objektivi i merkatos, në ditën e fundit të saj, është afrimi i qendërmbrojtësit të Parmës, Paleta. Por për momentin, bisedimet nuk po ecin mirë, pasi drejtuesit e Parmës kërkojnë 8 milionë euro, si dhe huazimin deri në fund të sezonit të Zakardos dhe Saponarës.