Kombëtarja shqiptare përballet më 11 tetor me një nga sfidat më të mëdha të historisë së saj moderne “finalen” për Botërorin në tokën serbe. Për Sylvinhon dhe kuqezinjtë nuk është thjesht një 90-minutësh sportiv, por një duel që ngërthen në vetvete historinë, emocionin dhe krenarinë e tifozëve përballë rivalit më delikat.
Përtej ngarkesës politike dhe marrëdhënieve Kosovë–Serbi, ndeshja në Leskovac ka peshë të jashtëzakonshme në Grupin K. Pas pesë javëve të para, Anglia kryeson me 15 pikë dhe e ka pothuajse të siguruar biletën për Botërorin 2026. Shqipëria renditet e dyta me 8 pikë, ndërsa Serbia, me 7 pikë dhe një ndeshje më pak, i fryn në qafë. Pas tyre vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra pa asnjë pikë.
Në këtë panoramë, takimi i 11 tetorit është vendimtar. Një fitore në Serbi do t’i hapte Shqipërisë portat e “play-off”-it, përpara dy sfidave të fundit: një udhëtim në Andorra dhe përballja në Tiranë me Anglinë. Por Serbia mbetet në lojë me më shumë ndeshje për të zhvilluar, çka e bën garën edhe më të ashpër.
Në këtë klimë tensioni, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e bëri të qartë se sfida e Serbisë përcakton jo vetëm fatin e kuqezinjve, por edhe atë të trajnerit Sylvinho: “Nëse ne shkojmë në Kupën e Botës, trajneri qëndron. Në të kundërt, një dështim për të shkuar aty diskuton të ardhmen e tij,” – deklaroi Duka në një intervistë televizive.