Kombëtarja shqiptare e futbollit është gati për dy duelet e fundit të fazës kualifikuese për Botërorin 2026, që do të vendosin fatin e “kuqezinjve” për një mundësi në “play off”. Shqipëria do të përballet me Andorrën më 13 nëntor në transfertë dhe me Anglinë më 16 nëntor në Tiranë, dy ndeshje kyçe për të siguruar një vend në fazën e play off-it.
Trajneri Sylvinho ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për këto takime, ku bien në sy disa emra surprizë.
Një nga rikthimet më të rëndësishme është ai i Ardian Ismajlit, i cili ishte jashtë formacionit për ndeshjet e tetorit për shkak të një dëmtimi, por tashmë është rikthyer dhe do të jetë i gatshëm për të ndihmuar ekipin. Një tjetër rikthim i bujshëm është ai i Indrit Tucit, që po shkëlqen me skuadrën turke të Göztepe dhe është përfshirë në listën e grumbullimit për herë të parë.
Në anën tjetër, një mungesë e rëndësishme është ajo e Marash Kumbullës, i cili, megjithëse ka filluar stërvitjen me Mallorcën, nuk është në gjendje të jetë i gatshëm për këto dy ndeshje.
Për Shqipërinë, gjithçka do të varet nga këto dy ndeshje të fundit. Kuqezinjtë mund të sigurojnë një vend në fazën “play off” nëse arrijnë të fitojnë ndaj Andorrës dhe, në të njëjtën ditë, Anglia të mund Serbinë në “Wembley”.
Të dyja ndeshjet do të jenë me interes të madh për të gjithë Shqipërinë, dhe mundësinë për t’i ndjekur ato do ta kenë drejtpërsëdrejti përmes DigitAlb.
