Vdekja e dy të rinjve, njëri prej të cilëve ishte i mitur, në një stadium në Santiago të Kilit, pak para një ndeshje futbolli, po shkakton tronditje. Bëhet fjalë për një 13-vjeçar dhe një 18-vjeçar, të cilët u vranë gjatë incidenteve të rënda para ndeshjes së Copa Libertadores mes vendasve Colo Colo dhe brazilianit Fortaleza.

Dy viktimat ishin të moshës 13 dhe 18 vjeç dhe sipas shtypit vendas, të rinjtë humbën jetën në ngjarje të rënda jashtë “Monumentalit”, të cilat shpërthyen kur qindra tifozë u përplasën me policinë dhe tentuan të hynin pa bileta në stadium.

Nga raportimet e para bëhet me dije se një kangjell është shembur, ka mbizotëruar paniku dhe disa persona janë shkelur me këmbë. Dhjetëra të plagosur u dërguan në spitalet e afërta në kryeqytetin e vendit.