Lamin Jamal është kthyer në ditën e fundit në “mollë sherri” mes Spanjës dhe Barcelonës, me përplasje tashmë edhe publike mes trajnerëve De La Fuente dhe Flik rreth tij.
Futbollisti u përfshi në listën e bërë publike nga Spanja për ndeshjet e muajit tetor në kualifikueset e Botërorit. Kjo, edhe pse Barcelona kishte kërkuar që të mos grumbullohej pasi vinte nga një situatë jo e mirë fizike në javët e fundit, ndonëse luajti ndaj PSG-së.
Por trajneri De La Fuente e injoroi këtë thirrje dhe e përfshiu në listë. “A po luante në klubin e tij? A po luante në klubin e tij? Atëherë është normale që të vijë dhe luajë këtu. Pastsj nëse një klub na thotë që ka probleme fizike, ne shqyrtojmë situatën dhe e shohim. Të shohim si do të jetë në fundjavë në kampionat. Ne po luajmë për kualifikimin në Botëror dhe kjo është gjëja që ka më shumë rëndësi, asgjë më shumë”, tha De La Fuente në konferencë për shtyp.
Por pak orë më vonë, Barcelona doli me komunikatë duke shpjeguar se Jamal ishte i dëmtuar pasi ishin përsëritur problemet e tij fizike dhe do të mungonte për 2-3 javë. Tani pritet që trajneri De La Fuente ta heqë nga lista, gjithmonë nëse nuk insiston që ai të paraqitet në grumbullim për verifikime.