Refuzoi urdhrin e trajnerit Artur Lekbello. Tirana pezullon për 3 ndeshje Klodian Duron. Kjo është e reja më e fundit nga klubi 24 herë kampionëve të vendit, të cilët kanë shqyrtuar dje polemikën e fundit mes teknikut dhe lojtarit veteran. Gjithçka e ka zanafillën të mërkurën e kaluar gjatë një seance stërvitore në stadiumin “Skënder Halili”. Trajneri Lekbello kishte vendosur që ta provonte Duron në pozicione të ndryshme në fushë, në qendër të mbrojtjes, ndër kohë që ky i fundit në karrierën e deritanishme ka luajtur si mesfushor i avancuar, tërhequr apo dhe si një sulmues i fshehur. Tekniku i kërkoi veteranit që të bashkëngjitej me Pishën në qendër të mbrojtjes. Lojtari reagoi, duke i shpjeguar teknikut se e gjithë bota e di tashmë se ku luan ai dhe se nuk kishte lidhje me manovrat defensive të lojës. Por Lekbello vazhdoi të këmbëngulte, duke i theksuar se duhej të spostohej, duke qenë se donte ta provonte në mbrojtje, por aty Duro refuzoi sërish. Në këtë moment, Lekbello i kërkoi që të largohej nga stërvitja, por mesfushori nuk e bëri një gjë të tillë. Gjithsesi, çështja nuk u mbyll aty pasi vetëm një ditë më vonë trajneri i është drejtuar ambienteve të klubit, ku ka dorëzuar relacionin mbi debatin që pati me mesfushorin. Lekbello kërkonte që ndaj Duros të merren masa ndëshkimore, pasi jo vetëm që e ka kundërshtuar në stërvitje, por edhe ka reaguar keq. Në letrën që “Tushe” shpjegoheshin të gjithë detajet e përplasjes me mesfushorin. Ndërkohë që vetëm dje drejtuesit e klubit kanë zhvilluar një mbledhje enkas për këtë çështje. Të pranishëm ishin edhe dy protagonistët, Lekbello edhe Duro. Pasi janë analizuar të dhënat mbi çështjen, drejtuesit kanë vendosur të dalin në mbështetje të trajnerit, duke e bazuar këtë edhe në nenet 18 dhe 20 të Rregullores se Brendshme të Klubit”. Ata morën një vendim për “pezullimin e lojtarit Duro për 3 ndeshjet e radhës që skuadra do të luajë në kampionat, duke filluar nga ndeshja Tirana–Skënderbeu”. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe futbollisti do të mund të stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës. Komisioni deklaroi se lojtari Klodian Duro ka kryer shkelje të Rregullores së Brendshme të Klubit Tirana, duke mos iu bindur urdhrave të trajnerit gjatë procesit stërvitor”. Mësohet se dënimi rrezikonte të ishte edhe më i rëndë, por ka qenë vetë lojtari ai që pranoi pafajësinë dhe shprehu gatishmërinë për t’iu bindur udhëzimeve të ardhshme të trajnerit. Kjo ndikoi në uljen e masës së dënimit.
Çështja
Duro kishte refuzuar urdhrin e trajnerit për t’u testuar në mbrojtje dhe më pas kishte polemizuar me të. Klubi vendosi të dalë në krah të teknikut Lekbello