Kanë dalë pamjet e incidentit të regjistruar pas përfundimit të ndeshjes mes AF Elbasanit dhe Vllaznisë, ku situata e tensionuar mes drejtuesve të klubit dhe zyrtarëve të takimit përfundoi në përplasje fizike.

Në qendër të incidentit është presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, i cili, sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, dyshohet se ka goditur një prej asistentëve të arbitrit.

Pamjet tregojnë momentet e tensionuara menjëherë pas vërshëllimës së fundit, teksa debati mes palëve përshkallëzohet dhe situata del jashtë kontrollit.

Ngjarja ka sjellë reagimin e menjëhershëm të FSHF-së, e cila e ka dënuar ashpër dhunën ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të ndeshjeve.

Federata thekson se incidente të tilla janë të papranueshme dhe cenojnë rëndë integritetin e garës sportive.

“Dhuna ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të ndeshjes përbën një cenim të rëndë të integritetit të garës dhe të vetë vlerave të sportit”, thuhet në reagimin e FSHF-së.