Kombëtarja shqiptare po forcon gjithnjë e më shumë lidhjen me tifozët kuqezi, duke u kthyer në simbolin kryesor të identifikimit sportiv për shqiptarët. Kjo konfirmohet edhe nga raporti “UEFA Grow Market Research”, i realizuar nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë prestigjioze Nielsen.

Sipas studimit, mbështetja për Kombëtarja shqiptare ka njohur një rritje të jashtëzakonshme gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2016, 61% e tifozëve deklaronin se mbështesnin ekipin kombëtar, ndërsa në vitin 2026 kjo shifër ka arritur në 91%, duke e pozicionuar Shqipërinë mbi mesataren europiane prej 70%.

Raporti evidenton gjithashtu se Kombëtarja është kthyer në prioritetin kryesor për tifozët shqiptarë. Nga ata që ndjekin njëkohësisht futbollin e klubeve dhe ekipet kombëtare, 70% e konsiderojnë Kombëtaren më të rëndësishme, ndërsa vetëm 15% vendosin në plan të parë futbollin e klubeve.

Të dhënat tregojnë edhe interesin e lartë të tifozëve shqiptarë për futbollin ndërkombëtar. Sipas studimit, 35% e tifozëve mbështesin një klub jashtë Shqipërisë, ndërsa 28% deklarojnë se mbështesin një klub vendas.

Ndërkohë, tifozët shqiptarë vijojnë të ndjekin edhe kombëtare të tjera europiane. Kombëtarja e Italisë mbetet skuadra e huaj më e ndjekur me 29%, e ndjekur nga Kombëtarja e Gjermanisë me 26%.

Gjetjet e raportit konfirmojnë se Kombëtarja shqiptare vazhdon të mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm të bashkimit dhe identitetit sportiv për shqiptarët.