Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, trajneri spanjoll Roberto Martínez pritet të mos rinovojë kontratën e tij me përfaqësuesen e Portugalisë, e cila skadon në fund të muajit korrik të këtij viti.
52-vjeçari, pavarësisht ecurisë dhe rezultateve që Portugalia do të arrijë në Kampionatin Botëror në Amerikën e Veriut, raportohet se do të largohet nga drejtimi i ekipit kombëtar, duke mbyllur kështu një periudhë trevjeçare në krye të “luzitanëve”.
Sipas burimeve, Martínez po shqyrton opsionet për të ardhmen e tij profesionale, me mundësi rikthimi në Premier Ligë, në kampionate të tjera evropiane ose në drejtimin e një tjetër përfaqësueseje kombëtare.
Ndërkohë, Portugalia ka nisur përgatitjet për Botërorin, ku në ndeshjen e parë do të përballet me Republikën Demokratike të Kongos. Vëmendja kryesore mbetet te kapiteni Cristiano Ronaldo, për të cilin ky turne shihet si një nga shanset e fundit për të fituar trofeun e munguar të karrierës së tij – Kupën e Botës.
Skuadra portugeze vjen me pritshmëri të larta, e përbërë nga emra si Bruno Fernandes dhe Vitinha, duke u konsideruar mes pretendenteve për fitimin e turneut.
Në drejtimin e Martínez, Portugalia ka regjistruar një ecuri të fortë, përfshirë një përqindje të lartë fitoresh dhe triumfin në Ligën e Kombeve në vitin 2025, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të mbyllet epoka e tij në krye të kombëtares.
