Vllaznia bie në Peqin, “hakmerret” Flamurtari, Skënderbeu fiton edhe me rezervat


Altin Manallari


Triumf madhështor i Kukësit, i cili shokon Tiranën me një fitore turpëruese 4-0, e cila ka lënë me gojë hapur të gjithë. Vllaznia mundet në Peqin, Flamurtari “hakmerret” ndaj Besës, Skënderbeu fiton edhe me të rinjtë.


Tirana mund t’i thotë që tani lamtumirë Kupës së Shqipërisë, pas humbjes 4-0 në fushën e Kukësit, në ndeshjen parë të turit të dytë të këtij kompeticioni. Një paraqitje për t’u harruar ajo e skuadrës së drejtuar nga Artur Lekbello, që me mendjen te sfida e fundjavës kundër rivalëve të drejtpërdrejtë të Skënderbeut shkatërrohet në transfertën kuksiane. Një figurë e shëmtuar e fitueses në fuqi të Kupës (ku numëron 15 trofe në total) si dhe 24 herë kampione, gjë që nxjerr në shesh situatën kritike të cilën po kalojnë bardheblutë në këtë periudhë. Meritë e vendasve të Armando Cungut, që do të dominonin ndeshjen, duke hedhur një hap të rëndësishëm për në çerekfinalet e Kupës. Interesant është fakti se trajneri Lekbello nuk kishte kursyer asgjë në favor të supersfidës së fundjavës në kampionat ndaj Skënderbeut në Korçë: Me përjashtim të mungesës së Gilman Likës, pjesa tjetër e titullarëve ishte në fushë. Kuksianët kanë qenë më kërkues e më të qartë, duke gjetur pas disa mundësish të volitshme edhe golin e epërsisë. Loja e mirë e Kukësit do të shpërblehej me Popoviç në minutën e 25, ndërsa me epërsinë minimale të vendasve do të mbyllej edhe pjesa e parë. I dobët reagimi i Tiranës me rikthimin në fushë për fraksionin e dytë. Nuk e ul ritmin formacioni kuksian, që do të vuloste triumfin me tre gola të tjerë. Popoviç do të shënonte golin e dytë personal, ndërsa më pas është Allmuça që në minutat e fundit do të gjunjëzonte bardheblutë e kryeqytetit me një tjetër dygolësh. Një fitore e rëndësishme për Kukësin, që nxjerr praktikisht jashtë Tiranën nga gara për Kupën e Shqipërisë. Ndërsa për Tiranën, kjo ishte një goditje e rëndë para një tjetër sfide delikate e domethënëse për ta, ndaj Skënderbeut në fundjavë, për kampionatin. Të ndara në dy grupe, A dhe B, ekipet e Superiores janë munduar të bëjnë sadopak llogari edhe në funksion të kampionatit, duke tentuar të kursejnë energji, pasi gara hyn në fazë delikate, vështirësia e ndeshjeve rritet dhe mundësitë për të rikuperuar gabimet që mund të bëhen janë të vogla. Skënderbeut me shumë të rinj në formacion i mjafton një gol i Kames për ta mbyllur me fitore ndeshjen e parë me Kamzën. Kualifikimi për më tej duket se nuk do të jetë problem për korçarët. Mund të quhet një lloj hakmarrje fitorja e Flamurtarit ndaj Besës. Goli i Memellit, i shënuar që në minutën e 18, ka rezultuar fatal për kavajasit, të cilët ndoshta janë dëmtuar edhe nga konflikti bashki-klub dhe ndeshjen e kanë luajtur larg shtëpisë, në “Niko Dovana” të Durrësit. Brenda pak minutash, Luftëtari përmbys avantazhin e përkohshëm të Bylisit dhe siguron fitoren 2-1 falë dopjetës së kapitenit Nora. Vllaznia pësoi një humbje minimale në Peqin, ku goli i vetëm mban firmën e djalit të trajnerit Gugash Magani, Endrit. Por kualifikimi mbetet i hapur për në kthim. Kastrioti thelloi krizën e Apolonisë, duke i mundur fierakët brenda në fushën e tyre, me rezultatin 2-1 dhe i bën krutanët favoritë për të kaluar në turin tjetër. Barazime pa gola në Lushnjë dhe Berat, ku si Lushnja e Teuta ashtu edhe Tomori e Laçi duket se kanë menduar më shumë për takimet e fundjavës në kampionat.


 


Lushnja-Teuta 0-0


Besa-Flamurtari 0-1


 


Eliminimi


Me humbjen 4-0, Tirana duket se i thotë lamtumirë Kupës


 


Kualifikimi


Vllaznia u mund në Peqin, por beson te kualifikimi në kthim


 


 


 


Kupa e Shqipërisë, Turi II


 


Grupi A


Kamza-Skënderbeu 0-1


Golat: Kame 38′


Kukësi-Tirana 4-0


Golat: Popoviç 25′, 60′, Allmuça 86′, 88′


Apolonia-Kastrioti 1-2


Golat: Ribaj 90′ / Karapici 4′, Fataki 40′


Shkumbini-Vllaznia 1-0


Golat: E.Magani 77′


 


Grupi B


Lushnja-Teuta 0-0


Besa-Flamurtari 0-1


Golat: Memelli 18′


Luftëtari-Bylisi 2-1


Golat: Nora 86′, 90+2′/ Izucuku 85′ (11-m)


Tomori-Laçi 0-0