Liga e Kampioneve mësoi sot rrugëtimin e saj për të 36 skuadrat pjesëmarrëse në fazën e turneut, pasi UEFA hodhi shortin për të përcaktuar përballjet mes ekipeve. Skuadrat ishin ndarë në vazo sipas koeficientit dhe në bazë të rregullores së turneut, do të luajnë dy ndeshje me skuadra në secilin vazo, një në fushën e tyre dhe një jashtë, për në total prej 8 ndeshjesh nga e cila përcaktohet edhe tabela e përbashkët e turneut.

Gjithçka u përcaktua nga një sistem kompjuterik, që ka thjeshtësuar punën e UEFA-s për të shmangur një procedurë shorti që do të ishte shumë e gjatë. Sigurisht, në këtë fazë të turneut shmangej përballja mes skuadrave të të njëjtit shtet.

Në shortin që u hodh nga dy emra shumë të njohur si Ibrahimoviç dhe Kaka, rezultatet e përballjeve për çdo skuadër kanë qenë shumë interesante. Kampionët në fuqi të PSG kanë sfida mjaft të komplikuar andaj Bajern Mynih, Barcelonës, Atalantës e Leverkusenit nga dy vazot e para, ndërsa nuk është më i thjeshtë as shorti në vazot e dyta me Totenhem, Sporting, Njukasëll dhe Atletik Bilbao.

Edhe Reali ka pak përballje të lehta, teksa do duelojë me Mançester Sitin, Liverpulin, Juventusin e Benfikën ndër të tjera. Interi ka peshkuar një katërshe të parë të vështirë, me Liverpul, Dortmund, Arsenal e Atletiko Madrid, ndërsa ka një short paksa më të lehtë me katër skuadrat e vazove të dyta.

Barcelona kishte shortin më të lehtë në letër mes skuadrave të mëdha, ashtu si edhe Juventusi që në pamje të parë ka kundërshtarë jo të nivelit më të lartë të mundshëm në vazot përkatëse.