Klose&Co. asfaltuan helenët me fitoren 4-2 dhe presin në gjysmëfinale fituesin e Itali-Angli
Një nga aspektet që e bëjnë futbollin sportin më të ndjekur në botë është se jo gjithmonë fiton më i forti. Por ka ndeshje ku hendeku mes dy skuadrave është shumë e madhe për të prodhuar surpriza. Është rasti i Gjermania-Greqi, që përfundoi 4-2 për gjermanët, që shkelmojnë me këtë poker të frikshëm grekët nga Europa.
Skuadra e Lëv vinte nga tri fitore në grup dhe e niste këtë takim si favoritja absolute për kalimin në gjysmëfinale. Megjithatë, duhej të tregohej e kujdesshme ndaj Greqisë së trajnerit Santos, skuadër e ndërlikuar dhe që ishte përkufizuar po ashtu edhe nga trajneri i gjermanëve si “mjeshtre e mbijetesës në Europë”. Gjermania kishte në favorin e saj edhe parashikimet: në fakt, që nga 1960, vitin e takimit të parë mes dy kombëtareve, në tetë përballjet e mëparshme gjermanët kishin koleksionuar 5 fitore dhe 3 barazime. Për sa i përket ndeshjes së mbrëmjes së djeshme, tekniku i grekëve kishte lënë jashtë formacionit Gekasin, ndërsa akoma edhe më surprizuese ishin zgjedhjet e bëra nga Joakim Lëv: në pankinë kishte përfunduar treshja titullare e sulmit që përbëhej me Myler, Gomez e Podolski, në fushë ishin hedhur dy të rinjtë Rojs e Schyrrle dhe një garanci si Miroslav Klose. Menjëherë pas vërshëllimës për nisjen e ndeshjes, gjermanët janë vënë në zotërimin e topit dhe e gjithë pjesa e parë ka mbajtur markën e skuadrës së drejtuar nga Joakim Lëv. Grekët janë limituar në mbrojtje, për të synuar më pas që të nisen në kundërsulme të shpejta të mbështetura te pasimet e gjata. Gjermania i ka shkuar shumë pranë golit pas vetëm dy minutash lojë me Kloen, i cili për pak centimetra nuk ka mundur të shtynte drejt rrjetës, një top i cili iu servir nga Shyrrle, ndërsa në minutën e katërt ka qenë një pozicion jashtë loje milimetrik, ai që i ka anuluar Shvajnshtajgerit golin e avantazhit 1-0. Bëhet fjalë për një ndeshje me sens unik, ku skuadra gjermane ka shkuar në disa raste shumë pranë golit që do të zhbllokonte ndeshjen me anë të Rojs. Por avantazhi ka ardhur vetëm në minutën e 39-të, ku Lahm arrin të çojë më në fund topin në rrjetë falë një gjuajtjeje të mrekullueshme nga kufiri i zonës. Por ky avantazh 1-0 i rri ngushtë Gjermanisë pas aq shumë rasteve të humbura. Ndërsa për Greqinë ka qenë sigurisht negative paraqitja e portierit Sifakis, autorit të dy gafave dhe një reagim jo siç duhet në gjuajtjen e Lahm. Pjesa e dytë nis fotokopje e të parës, por në minutën e 55-të Greqia i surprizon të gjithë me golin e barazimit me anë të Samaras, që erdhi falë një kundërsulmi të shpejtë të helenëve. Por mrekullia greke zgjati shumë pak, pasi Gjermania reagon shpejt dhe rikthen për të dytën herë avantazhin me anë të Khedirës (61’), që depozitoi në rrjetë për 2-1 një asist të marrë nga Zherome Boateng. Në minutën e 68’-të, Klose shfrytëzon një tjetër gafë në dalje të portierit Sifakis, dhe ka çuar për të tretën herë në rrjetë topin e ardhur nga një goditje dënimi. Greqia është e pafuqishme të përballojë këtë Gjermani të papërmbajtshme, që në minutën e 74’ gjen edhe golin e 4-1 me Rojs. Minutat në vazhdim u shërbejnë grekëve për të fituar një penallti, e cila u kthye në gol nga Salpingidhis (89’). Por fitorja 4-2 e Gjermanisë, i kthen grekët në ferrin e krizës ekonomike, ndërsa skuadra e Lëv tashmë pret të mësojë kundërshtarin e gjysmëfinales që do të jetë fituesi i Itali-Angli.