Ende pa nisur, Kupa e Botës 2026 është bërë pjesë e polemikave të mëdha. Pas shortit ku gjithë vëmendjen e moti presidenti amerikan Donald Trump, për të cilin FIFA krijoi një çmim të posaçëm, “Çmimin e Paqes”, këtë herë në “valle” është futur dhe komuniteti LGBTQI+.

Kështu, ndeshja mes Iranit dhe Egjiptit, e cila do të luhet më 26 qershor, do të përfshijë dhe një event të veçantë për të nderuar komunitetin LGBTQI+. Ironia qëndron në faktin se të dyja këto shtete e dënojnë homoseksualitetin si krim.

Në Iran, homoseksualiteti konsiderohet krim dhe dënimi maksimal për marrëdhëniet e të njëjtit seks është dënimi me vdekje. Në Egjipt, ligjet e “rendit moral” përdoren shpesh për të ndjekur penalisht individët dhe marrëdhëniet LGBTQI+.

Eventi, i cili thuhet se organizohet vetëm nga komiteti organizues lokal dhe nuk është zyrtarisht i lidhur me FIFA-n, do të zhvillohet të premten e Fundjavës zyrtare të Krenarisë së qytetit. Artistët nga shteti i Uashingtonit janë ftuar të paraqesin vepra që nderojnë komunitetin LGBTQ+, të cilat do të ekspozohen gjatë ndeshjes dhe në vende të ndryshme rreth qytetit, ndërsa organizatorët nuk tregojnë asnjë qëllim për të bërë ndonjë ndryshim.

Ende nuk ka një reagim nga federata iraniane ashtu edhe ajo egjiptiane, por pritet që ta kundërshtojnë. Megjithatë, pyetja është se sa larg janë të gatshme të shkojnë dhe cili do të jetë saktësisht qëndrimi që do të mbajë vetë FIFA.